Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se institucionet e drejtësisë janë duke punuar që deri në qershor të përfundojnë rastet shënjestruar për të shënuar hapa konkret në plotësimin e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave, luftimit të krimit e korrupsionit.
Këto komente ai i bëri në tryezën e organizuar nga BIRN në të cilin u prezantua raporti për rastet e shënjëstruara, raporton Ekonomia Online.
Lumezi, tha se nga 40 rastet e shënjestruara 30 prej tyre janë dërguar në gjykatë ndërsa prej tyre për 9 raste janë marrë vendime.
Sipas tij, problemet me të cilat janë duke u përballur janë dënimet e vogla dhe bartja e lëndëve nga një instancë në tjetrën.
“Prokuroria e shtetit deri më tani ka shënjuar 40 raste jemi duke punuar këto ditë që të evidentojmë edhe disa lëndë që deri në fund të muajit qershor të dalim me rezultatet konkrete. Nga këto 40 raste për 30 lëndë janë dërguar në gjykatë dhe presim që gjykata të kryejë punën”.
“Është evidente që nga këto 30 aktakuza në gjykata për 9 kemi vendime gjyqësore ndërsa për rastet e tjera janë në shkallën e parë ose në të dytën. Kemi raste që janë dënuar me dënime me burgim, por ato burgime janë të vogla ka raste që janë dënuar me kusht dhe kemi shumë pak raste kur është bërë konfiskimi definitiv”.
“Një nga pengesat edhe vështirësitë të cilat janë paraqit është se ka pasur lëvizje të lëndëve nga një instancë në instancën tjetër këto i kanë zgjatur procedurat gjyqësore por ndoshta i kanë prekur edhe të drejtat elementare të personave por edhe kanë ndikuar në besimin në sistemin e drejtësisë”.
Mirëpo përkundër kësaj, Enver Peci, Kryetar i gjykatës Supreme nuk ka garantuar se zgjidhja e lëndëve të shënjestruara do të ndodh në kohën e caktuar.
Ai fajin ia ka hedhur edhe misioni i EULEX-it për bartjen e lëndëve të pa përfunduara në duart e vendësve.
“Asnjë matës në botë nuk ka. Askush në këtë sallë as prej gjyqtarëve as prej meje nuk mund të garantojë se ka me pas sukses deri në qershor absolutisht nuk mundemi me mat kryerjen e rasteve”.
“Fokus është që lëndëve me i dhënë përparësi, të jeni në dijeni që përveç rasteve të shënjestruara ne e kemi edhe një plan për rastet e korrupsionit pra edhe në këtë drejtim”.
“U përmend që nuk jem të gatshëm me i marr rastet prej EULEX, por edhe EULEX na ka komplikuar lëndët j ka marr 16 gjyqtarë edhe na ka dërguar neve lëndët”.
Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë tha se që nga ardhja e tij në krye i është kushtuar rëndësi e veçantë trajtimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Ai madje tha se i kanë plotësuar të gjitha rekomandimet e dala nga raporti për Kosovën.
“Prej fillimit kemi dëshmuar dhe kemi marr hapa konkret se jemi duke ndërruar në fuqizimin e luftimit të lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa dyshim se qeveria sëbashku me gjyqësorin nuk kemi alternativë tjetër për në përmbushjen e kriterit të mbetur deri në qershor”.
Reshat Millaku, koordinator i KPK-së për rastet e shenjëstruara tha se në kanë dëshmuar se nuk ka njerëz të paprekshëm.
“Unë nuk kam këshilltar punoj bashkë me 12 prokurorë. Kemi dëshmuar se nuk ka njerëz të paprekshëm”.
Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit tha se luftimi i korrupsionit duhet të jetë i vazhdueshëm pasi ai nuk kryhet me zgjidhjen e 39 lëndëve.
“Lufta kundër korrupsionit nuk kryhet me 39 lëndë, por duhet të jetë e vazhdueshme. Nuk i kemi zbut dënimet, por i kemi rrit edhe shumë dënime mirëpo ka shumë raste edhe që i kanë zbrit. Kur të vërtetohet se një person ka kryer vepër penale duhet ta merr dënimin meritor e jo me kusht”.
Aferdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se ndonëse numri i gjyqtarëve që trajtojnë rastet e korrupsionit është i vogël kanë arritur që të kryejnë një numër të madh të tyre.
Prej 18 rasteve të shënjestruara sa përballet kjo gjyjatë këtë vit ka përfunduar 3 raste.
“Sipas të dhënave të fundit kemi 18 lëndë, 3 prej tyre kanë përfunduar 15 janë në procedim e sipër. Janë duke u proceduar me një përkushtim të madh me qëllim që të përfundojnë brenda një afati s amë të shkurtër kohor”.