Institucionet e Maqedonisë inspektohen nga eksperti evropian

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 17:00 | Nga

Eksperti evropian Rejnhard Pribe ka filluar skenimin e institucioneve të vendit duke filluar nga ministria e jashtme, ministria e drejtësisë dhe Qeveria. Pribe nuk ka pranuar të japë detaje për mediat duke deklaruar se puna e tij sapo ka filluar.

Gjatë mëngjesit të punës me zv. kryeministrin për eurointegrime Bujar Osmani dhe ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov, thuhet se Qeveria është zotuar për zbatimin e plotë të reformave të rekomanduara nga ekspertët.

Ministri Dimitrov bashkë me zv.kryeministrin Osmani e theksuan angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë për adresimin e rekomandimeve të raportit të ekspertëve nga viti 2015 dhe zbatimin e masave të planit aksional për reformat urgjente me qëllim që Komisioni Evropian të heqë rekomandimin e kushtëzuar për fillimin e negociatave.

Në takim u shpreh bindja se angazhimi i mëtejmë dhe drejtimet e mëtejme të grupit të ekspertëve do të ndihmojnë shumë në nxjerrjen e rezultateve konkrete nga sferat kryesore me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, shkruan AlsatM.

Siç thuhet më tej në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Pribe ka riafirmuar gatishmërinë e grupit të ekspertëve për t’i ndihmuar maqedonisë për tejkalimin e mungesave në disa fusha kyçe sa i takon sundimit të së drejtës, lirisë së mediave dhe pavarësisë së trupave rregullatore.

Mësohet se Pribe do të zhvillojë takim edhe me kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski të cilin do të përpiqet ta bindë që të mos pengojë procesin e zbatimit të reformave të theksuara në raportin e tij.

Ekspertët e ekipit të Pribesë dhe Komisionit Evropian, deri më 1 korrik, do të marrin pjesë në përpilimin e udhërrëfyesit për zbatimin e reformave në gjyqësor, punën e DSK-së, mediat dhe institucionet tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme