Mbetet shqetësuese për Auditorin e Përgjithshëm dhe deputetët e Kuvendit vlera prej 25 milionë eurosh që i keqplanifikuan për shpenzime institucionet e Kosovës gjatë vitit 2015.
Ndër shqetësimet tjera është edhe trendi i rritjes së shpenzimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore. Po ashtu, për vitin 2015 nga thesari i shtetit janë paguar 12 milionë euro për rastet e humbura në proceset gjyqësore.
Këto shqetësime u ngritën në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të Auditimit për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Administratës Publike.
Drejtori Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani theksoi se shqetësim tjetër është edhe angazhimi i numrit të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër nëpër institucionet e shtetit dhe rritja e shpenzimeve në fund vit.
“Numri i regjistrimeve është rritur nga viti në vit. Pagesat dhe prezantimi i tyre është i shtrenjtë nga ana tjetër janë rritur të hyrat me 16.6% më shumë se në vitin paraprak”, ka deklaruar Osmani.
Në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare raportoi ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili theksoi se ka një tendencë të rritjes së menaxhimit më të mirë të financave publike.
“Janë duke implementuar një varg reformash për rregullimin e kornizës ligjore që adreson implementimin e rekomandimeve. Është në plan formimin e një Këshilli që përfshin institucionet përkatëse për mbikëqyrjen e implementimit të rekomandimeve”, tha ministri Hoti.
Ministri i MAP-së, Mahir Yagcilar, i cili ishte i pranishëm tha para anëtarëve të këtij komisioni se janë në përpjekje që të përmirësojnë punën e Qeverisë.
“Jemi në përpjekje që të përmirësojnë punën e Qeverisë por edhe të institucioneve ku interferon edhe Ministria e Administratës Publike, në mënyrë që të ketë organizim më të mirë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike”, tha Yagcilar.
Kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli nga radhët e LVV-së, tha se sheh një vështirësi të planifikimit dhe organizimit për menaxhimin e financave publike.
“ Edhe mos implementimi rekomandimeve të auditorit, qeveria nuk ka pasur asnjë plan në vitet e kaluara për këtë çështje”, deklaroi Topalli
Anëtari i komisionit, Ali Sadria nga LDK, tha se brengosëse për të, janë borxhet e bartura në qeveri dhe komuna. Ai tha se ka elemente pozitive në raport, të cilat dalin sidomos për të hyrat buxhetore.
“ Sistemi nuk mundet me funksionu me dy sisteme, edhe me Ministri të Financave edhe me Thesarin, sepse këtu mund të ketë edhe mos koordinim. Thesari duhet të trajtoj me më shumë mbikëqyrje”, tha Sadria.
Anëtari tjetër Abdyl Imeri nga PDK, vlerësoi se të gjitha të gjeturat e theksuara në këtë raport nga Auditori, kanë për qëllim që organizatat buxhetore të rrisin transparencën llogaridhënien dhe shpenzimet e parasë publike, si dhe përmirësimin e qeverisjes.
“ Të gjitha organizatat buxhetore janë probleme, nëse e shohim se si janë përgatitur parat 25 milionë euro janë keqmenaxhuar pagat dhe meditjet..”, tha Imeri.
Por, ai tha se me gjithë përmirësimet që shihen në raport, ka keq klasifikim të buxhetit.Nga 1 mijë 177 rekomandime vetëm 365 prej tyre janë adresuar plotësisht, 418 I kemi të adresuara pjesërisht dhe 403 rekomandime janë fare të pa adresuara nga ana e organizatave buxhetore.
Auditori theksoi se do të ishte me rëndësi që të krijohet një plan të Veprimit nga Qeveria e Kosovës dhe një plan kohorë për mënyrën e adresimit të këtyre rekomandimeve.
Në rend të ditës ishte paraparë edhe shqyrtimi i Raportit të Auditimit për PVF e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015, i ftuar ishte ministri Dalibor Jevtiq, por në kuadër të bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga Lista serbe, nuk mori pjesë Jevtiq.
Komisioni për shkak të vazhdimit të seancës së djeshme, u detyrua të ndërpresë punimet për shqyrtimin e raporteve të Auditorit për vitin 2015, për Ministrisë së Shëndetësisë dhe për Klinikën Universitar të Kosovës