Kosova është i vetmi vend rajon, ndoshta edhe më gjerë, që ka ligj për operën, por nuk ka një të tillë.
Që nga viti 2006, kur për herë të parë në Kuvendin e Kosovës u miratua ligji për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, institucionet kosovare, konkretisht Ministria e Kulturës nuk ka arritur të konsolidojë edhe fizikisht, siç kërkohet me ligji, institucion e operës.
Pavarësisht se mungesa e një objekti adekuat për Operën, thuhet se është shkak që ka lënë pa implementim ligjin për Operën, ekspertët e fushës janë shprehur se edhe sikur të kishte një Objekt të gatshëm për operën, për funksionalizimin e këtij institucionit do të duheshin së paku dhjetë vjet.
Përveç objektit për themelimin e Operës, problem paraqet edhe mungesa e kuadrit instrumentist, por edhe regjisorët- kompozitorët dhe stafi tjetër, paraqesin një problem serioz për funksionimin e Operës
Saga e Operës së Kosovës
Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, institucion që është ngarkuar të bartë barrën e shfaqjeve dhe koncerteve operistike, deri në themelimin fizik të Operës, ka thënë për Kallxo.com se Kosovës do t`i duhen edhe shumë vite për të pasur një institucion të mirëfilltë të operës.
Ai ka thënë se për themelimin e institucionit të operës kërkohen kushte të veçanta, kuadro të nivelit të lartë dhe një infrastrukturë specifike.
“Edhe po të kishin objekt për Operën, neve do të na duhen së pak 10 vjet për themelimin e Operës, pasi, përveç objekti neve na mungojë edhe kuadrot profesionist, sidomos instrumentistët”, ka potencuar Jashari, duke pohuar se duhet një mobilizim i shumë institucioneve, sikurse MKRS, Fakultetit të Arteve, por edhe më gjerë, për ngritjen e Institucionit të operës.
Ai ka pohuar se pavarësisht se ka një ligj për institucion e operës, ai nuk ka një datë të caktuar implementimin e tij, por edhe të meta tjera.
Andaj, sipas Jasharit, si i tillë edhe duhet të amandamentohet sa më parë.
Një dekadë premtime
Pas miratimit të ligjit, më 2006, MKRS që në atë kohë njihet si Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jo rezidente, nisi punët për ndërtimin e një objekti për Operën, por që përveç një projekti ideor dhe shpenzimit të mbi 700 mijë eurove asgjë tjetër nuk ndodhi.
Pavarësisht të gjithave, MKRS vazhdon të mbetet e sigurt dhe premton se nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i Objektit të Operës dhe Baletit.
“MKRS nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i objekti e sa nga lokacioni. Tani jemi në fazën finale të hartimit të detyrës projektuese të projekti dhe brenda këtij viti do të iniciohen procedurat për hartimin e projektit kryesor dhe sigurisht në fillim të vitit të ardhshëm pritet të vihet gurë themeli për ndërtimin e sallës së operës dhe baletit”, ka thënë për Kallxo.com, Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës.
Ligji për Operën
Ligji Nr. 02/L-59, për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, i miratuar më 2006 nga Kuvendi i Kosovës rregullon funksionimin ligjorë të tri institucioneve elitare skenike në vend, në këta rast edhe të Operës së Kosovës.
Në aneksin e dytë të këtij Ligji, përkatësish nga në nenin 31 deri te nenin 43, të këtij ligji, përcaktohet qartë funksionimi i operës, organet drejtuese dhe çështje tjera që lidhen me institucionin e operës, por jo edhe koha, apo data e implementimit të tij.