Edhe një profesor i UP’së dhe ish-deputet kishte rënë pre e një informacioni të rremë për ‘punësimin’ e një analfabeti si asistent në një degë që s’ekziston në asnjë universitet në Kosovë.
Përpos tij, të njëjtën përmbajtje e kishin shpërndarë edhe njerëz të tjerë në rrjetet sociale. Madje, edhe disa media e kishin shpërnda një rrenë të tillë.
Për të mos rënë pre e dezinformatave të tilla, Instituti EduMedia u ka bë rë thirrje qytetarëve të Kosovës të kenë gjykim kritik për përmbajtje të tilla të paverifikuara.
“Pre e kësaj propagande nuk ishin vetëm disa të rinj, siç mendohet zakonisht, por edhe shumë persona me kualifikime të ndryshme akademike, gjë që tregon se është rrënuar shumë jo vetëm kohezioni social po edhe aftësia e shumë njerëzve për ta dalluar të vërtetën nga e pavërteta”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Institutit EduMedia
Instituti EduMedia u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë vëmendje për ato që lexojnë në rrjete sociale e në medie derisa ka kërkuar nga institucionet shtetërore të arsimit, që të fusin në programet e shkollës lëndën e edukimit medial. EduMedia është një institut i posa krijuar nga një grup ekspertësh të fushës së medies dhe komunikimit i cili promovon konceptin e edukimit medial në arsimimin formal dhe joformal
Instituti EduMedia ka një synim kryesor, mobilizimin e lexuesve të të gjitha moshave dhe nivelit të arsimimit, të zhvillojnë aftësitë e gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale dhe hulumtimin e rasteve të keqinformimit duke ofruar udhëzime për lexuesit për të identifikuar indikacionet e përmbajtjeve të tilla në media.
Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të Institutit EduMedia:
“Instituti EduMedia tërheqë vërejtjen lidhur me plasimin e dezinformatave në rrjete sociale e në medie, që është duke shënuar rritje gjithandej dhe duke shkaktuar hutesë dhe nervozë tek publiku. E tillë ishte edhe shpërndarja e një dezinformate kundër Universitetit të Prishtinës, gjoja me pranimin e një asistenti, që nuk ditka drejtshkrimin. Shqetësues është fakti se atë dezinformatë e besuan dhe e përhapën një numër i madh njerëzish, duke shfryrë edhe akuza të rënda kundër institucionit më të rëndësishëm të arsimit të lartë në vendin tonë.
Pre e kësaj propagande nuk ishin vetëm disa të rinj, siç mendohet zakonisht, por edhe shumë persona me kualifikime të ndryshme akademike, gjë që tregon se është rrënuar shumë jo vetëm kohezioni social po edhe aftësia e shumë njerëzve për ta dalluar të vërtetën nga e pavërteta. Posaçërisht shqetësues ishte edhe raportimi i disa medieve për këtë rast, duke e plasuar informacionin te publiku pa e bërë as hapin e parë të një gazetarie profesionale dhe etike, verifikimin e informacionin nga burimet.
Prandaj, Instituti EduMedia u bën thirrje qytetarëve që të kenë vëmendje për ato që lexojnë në rrjete sociale e në medie dhe ta kenë parasysh se aty mund të postohen edhe dezinformata. Gjykimi kritik ndaj përmbajtjeve të tilla është i domosdoshëm, për secilin. Instituti EduMedia fton edhe me këtë rast institucionet shtetërore të arsimit, që të fusin në programet e shkollës lëndën e edukimit medial, e cila do të ndihmonte fëmijët dhe të rinjtë të marrin një edukim adekuat lidhur me mediet dhe të rrisin shkallën gjykimit kritik. Gjithsesi nevoja për edukim medial edhe në nivelin joformal për mësuesit dhe qytetarët, po bëhet çdo ditë e më urgjente. Instituti EduMedia është i gatshëm të ofrojë ekspertizën e vet edhe në këtë drejtim.”