Instituti i lidhur me Putinin “zhvilloi planin” për të ndikuar zgjedhjet në ShBA

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 11:51 | Nga

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se një institut i Qeverisë ruse, i udhëhequr nga ish-zyrtarë të inteligjencës, të emëruar nga Kremlini, ka zhvilluar një plan për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në ShBA, vitin e kaluar.

Raporti i Reutersit citoi tre zyrtarë aktualë dhe katër ish-zyrtarë të ShBA-së, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.

Sipas raportit, ata kanë përshkruar dy dokumente konfidenciale, që janë përgatitur nga Instituti i Rusisë për Studime Strategjike, me seli në Moskë, dhe janë siguruar nga zyrtarët e zbulimit në ShBA.

Njëri dokument është një letër strategjike, e shkruar në qershor të vitit 2016 dhe ka qarkulluar në nivelet më të larta të Qeverisë ruse, raporton REL.

Në të thuhet se i është rekomanduar Kremlinit të zhvillojë një fushatë propaganduese në internet dhe në transmetuesit mediatikë, duke u bërë thirrje votuesve amerikanë të zgjedhin një president që do të ishte më i butë se Barack Obama ndaj Rusisë.

Dokumenti i dytë, i hartuar në tetor, ka paralajmëruar se kandidatja demokrate për presidente të ShBA-së, Hillary Clinton, ka gjasa të fitojë.

Dokumenti ka rekomanduar që Rusia të ndalojë propagandën e saj në favor të kandidatit republikan, Donald Trump, dhe të përqendrohet në përpjekjet për të minuar presidencën e mundshme të Clintonit dhe legjitimitetin e sistemit zgjedhor të ShBA-së, duke nxitur dyshime për mashtrim të votuesve.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë lëshuar një raport në muajin janar, duke thënë se kanë vlerësuar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar një “fushatë të ndikimit”, duke përdorur piraterimet kompjuterike dhe metoda të tjera për të ndërhyrë në zgjedhje.

Reuters tha se një zëdhënës i Putinit, i cili ka mohuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, nuk ka pranuar t’i përgjigjet kërkesës për komente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme