Kompanitë japoneze janë duke e zgjeruar përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera të përparuara për t’i zvogëluar kostot e ushqimit të mbetur gjatë pandemisë dhe për të kërkuar një mënyrë për qëndrueshmëri.
Shkatërrimi i më shumë se 6 milionë tonë mbetjeve të ushqimit në Japoni, i ka kushtuar ekonomisë së tretë botërore rreth 19 miliardë dollarë në vit, sipas të dhënave të qeverisë. Duke pasur mbetjet më të larta të ushqimit për kokë banori në Azi, qeveria japoneze ka miratuar një ligj të ri për t’i përgjysmuar kostot e tilla nga viti 2000 deri në vitin 2030, duke i shtyrë kompanitë që të gjejnë zgjidhje.
Rrjeti i dyqaneve “Lawson Inc” ka filluar përdorimin e Inteligjencës Artificiale nga firma amerikane “DataRobot”, e cila vlerëson se sa produkte në rafte, nga orizi deri te sandviçët me vezë dhe tuna, mund të mos shiten ose mund të mos jenë më të kërkuara.
“Lawson” synon t’i ulë rezervat e tepërta deri në 30 për qind në vendet ku janë ekspozuar dhe dëshiron t’i përgjysmojë ushqimet e mbetura në të gjitha dyqanet e saj në vitin 2030, krahasuar me vitin 2018.
Prodhuesi i pijeve “Suntory Beverage & Food Ltd” po eksperimenton me një produkt tjetër të Inteligjencës Artificiale nga “Fujitsu Ltd”, duke provuar të përcaktojë nëse mallrat, si shishet me çaj dhe ujë mineral, janë dëmtuar gjatë transportimit.
Deri tani, kjo ka qenë një përpjekje që ka marrë më së shumti kohë. Me Inteligjencën e re Artificiale, “Suntory” shpreson të vlerësojë se kur një kuti është e dëmtuar ose kur përmbajtja është dëmtuar dhe duhet të kthehet. “Suntory” synon ta zvogëlojë kthimin e mallrave me 30-50 për qind dhe ta ulë koston e ushqimeve të mbetura dhe të zhvillojë një sistem standard të përbashkët, që mund të ndahet me prodhuesit e tjerë të ushqimit dhe firmat e transportit.
Konsumatorët japonezë janë shfaqur të hapur për këtë kauzë, posaçërisht për arsye se pandemia e koronavirusit i ka dëmtuar të ardhurat.
Tatsuya Sekito ka krijuar “Kuradashin” në vitin 2014, firmë kjo e tregtisë elektronike që merret me ushqimet e pashitura në zbritje, pasi që kishte parë sasi të madhe të ushqimit të mbetur nga përpunuesit e ushqimit, përderisa punonte për një firmë tregtare japoneze në Kinë.
Biznesi në internet tani po lulëzon, për shkak të një rritjeje të kërkesës për ushqime të pashitura me çmim të ulët, pasi konsumatorët u bënë më të vetëdijshëm për koston gjatë pandemisë COVID-19.
“Shitjet u rritën 2.5 herë vitin e kaluar nga një vit më parë, ndërsa sasia e ushqimit të mbetur është dyfishuar që kur koronavirusi ndërpreu zinxhirin e furnizimit me ushqim”, ka thënë Sekito. “Kuradashi” ka një rrjet prej 800 ndërmarrjesh, duke përfshirë “Meiji Holdings Co”, “Kagome Co” dhe “Lotte Foods Co”, të cilat i shesin asaj gjithsej 50.000 artikuj, duke përfshirë pako me këri, smoothie dhe “nori” me cilësi të lartë.
“Konsumatorët japonezë priren të jenë zgjedhës, por ne i tërheqim klientët duke ofruar jo vetëm zbritje, por edhe mundësi që një pjesë e të hollave të dhurohen në një organizatë bamirësie, duke e rritur ndërgjegjësimin në lidhje me çështjet sociale”, ka thënë Sekito.
Shifrat e anëtarësisë janë rritur në 180.000 në vitin 2021 nga 80.000 sa ishin më 2019.
Edhe të tjerët i kanë bashkuar forcat me firmat ushqimore për ta zhvilluar një platformë të re teknologjike për t’i ulur ushqimet e mbetura, si pjesë e përpjekjeve globale për t’i përmbushur qëllimet e qëndrueshme për zhvillim.
“NEC Corp” është duke e përdorur Inteligjencën Artificiale jo vetëm për t’i analizuar të dhënat e tilla si moti, kalendari dhe tendencat e klientëve në vlerësimin e kërkesës, por edhe të japë arsyetime që qëndrojnë prapa analizës së saj.
“Reduktimi i sasisë së mbetur të ushqimit është qëllimi ynë përfundimtar”, ka thënë Ryoichi Morita, menaxher veteran që e mbikëqyr integrimin digjital të “NEC Crop” . “Përfundimisht, shpresojmë se mund të na çojë drejt zgjidhjes së sfidave të tjera të biznesit, të tilla si minimizimi i kostove, rregullimi i mungesave të fuqisë punëtore, riorganizimi i inventarit, porosive dhe logjistikës”.