Inteligjenca Artificiale po ripërcakton rolin e menaxherëve

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 23:55 | Nga Ekonomia Online

Inteligjenca Artificiale do të ndikojë në çdo profesion, në çdo industri dhe në çdo shtet. Madje, disa i druhen faktit se Inteligjenca Artificiale do të shkojë deri aty sa do të eliminojë çdo vend pune të njerëzve.

Studime të ndryshme shfaqin realitetin e ashpër të automatizmit të fuqisë punëtore, veçanërisht për disa lloje të veçanta të vendeve të punës dhe demografi të caktuara.

Një studim i kryer nga Institucioni Brookings zbuloi se automatizimi kërcënon rreth 25 për qind të të gjitha vendeve të punës në SHBA, mbi të gjitha ato vende pune që kanë një pagë të ulët dhe ku procesi i punës është rutinë. Një studim tjetër, i kryer nga Instituti i Kërkimeve për Politikat e Grave, zbuloi se sipas grave, 58 % e vendeve të tyre të punës rrezikohen shumë nga automatizimi.

Megjithatë, pavarësisht shembujve të mësipërm, shumica prej nesh po fillon që ta pranojnë botën e re të Inteligjencës Artificiale dhe të përqafojnë ato teknologji që duken se ofrojnë mundësitë më të mira. Studime të tjera theksojnë faktin se Inteligjenca Artificiale do të krijojë më shumë vende pune. Sipas një studimi global të kryer nga Oracle dhe Future Workplace u zbulua se rreth 2/3 e 8,370 punonjësve, menaxherëve dhe drejtuesve të Burimeve Njerëzore në 10 shtete të ndryshme ishin optimistë dhe të lumtur nga bashkëpunimi me kolegët e tyre robotë. Madje rreth ¼ e tyre u shprehën se ishin shumë mirënjohës ndaj ndihmës shumë të madhe që i ka ofruar atyre Inteligjenca Artificiale, duke ia thjeshtuar shumë procesin e punës dhe rrjedhimisht edhe jetën.

Çuditërisht, vitin e kaluar, sipas disa studimeve të tjera, u zbulua se pjesa më e madhe e punonjësve do t’i besonin më shumë kërkesave të bëra nga kolegët e tyre robotë sesa kolegët e tyre njerëz. Në kompaninë American Express, vendimet për të zbuluar se cilat produkte u përshtaten më mirë klientëve të caktuar i janë lënë në dorë Inteligjencës Artificiale, duke përjashtuar kështu nevojën e menaxherëve dhe punonjësve njerëz për të diskutuar për këtë proces pune.

Sipas një studimi tjetër u arrit në përfundimin se robotët janë më të mirë sesa menaxherët për të ofruar informacion të paanshëm, të zbatojnë me përpikëri oraret e projekteve, të japin zgjidhje për probleme të ndryshme dhe të menaxhojnë, në mënyrën më të mirë buxhetin, ndërsa menaxherët janë më të ndjeshëm, janë më të aftë të trajnojnë stafin e tyre dhe të krijojnë ose të nxisin një kulturë pune.

Anthony Mavromatis, nga American Express, thekson faktin se Inteligjenca Artificiale po u mundëson menaxherëve të kenë më shumë kohë të lirë në dispozicion dhe të përqendrohen në thelbin e punës së tyre, për të qenë të aftë të krijojnë dhe të përmirësojnë diçka për të cilën Inteligjenca Artificiale nuk është në gjendje ta bëjë.

Kompani të tilla si Hilton, të cilat kanë kohë që i përdorin shërbimet e Inteligjencës Artificiale për të lehtësuar proceset e ndryshme gjatë punës së tyre, së fundmi kanë vendosur që t’i zgjerojnë ato edhe më shumë, duke shtuar si pjesë të stafit të tyre, asistentët digjitalë. Rrjeti i hoteleve Hilton, po e përdor gjerësisht Inteligjencën Artificiale për të plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme si nevojat e stafit ashtu edhe ato të klientëve të tyre, shprehet Kellie Romack, zv.presidente e Burimeve Njerëzore Dixhitale dhe e Planifikimit Strategjik në Hilton.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme