Që nga orët e para të së premtes, qytetarët e Zveçanit janë drejtuar afër ndërtesës komunale për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit, Ilir Peci, raporton Ekonomia Online.
Interesimi i qytetarë u pa i madh, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ata janë mbledhur në grupe të ndryshme.
Ndërkaq, përfaqësuesi i qytetarëve për peticionin në Zveçan, Darko Vuksanoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që sot të dalin sa më shumë të votojnë për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.
Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve ka nisur ditë më parë edhe në Mitrovicë të Veriut e në Leposaviq.
Për të qenë peticioni i suksesshëm, duhen nënshkrimet e së paku 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Zveçan duhen nënshkrimet e 1.411 votuesve, në Zubin-Potok nënshkrimet e 1.347 votuesve, në Mitrovicë të Veriut duhen nënshkrimet e 3.640 votuesve dhe në Leposaviq nënshkrimet e 2.689 votuesve.
Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok përfundon më 22 janar, ndërsa në Zveçan më 27 janar.