Interi e feston titullin me fitore mbresëlënëse ndaj Udineses në Meazza

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Interi e festoi titullin e parë në Serie A pas plot 11 vjetëve në mënyrën më mahnitëse të mundshme, duke e shkatërruar plotësisht 5:1 Udinesen në ditën e fundit të sezonit 2020/21 në Giuseppe Meazza.

Inter u shpall kampion i Italisë për herë të 19-të në historinë e klubit më 2 maj – katër javë para përfundimit të sezonit në Serie A – duke i dhënë fund një mbizotërimi të gjatë nëntëvjeçar të Juventusit, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Contes i dha vule një sezoni të mrekullueshëm në ligë duke e mundur 5:1 Udinesen të dielën pasdite.

Ashley Young, Christian Eriksen, Latuaro Martinez, Ivan Perisic dhe Romelu Lukaku shënuan për zikaltrit, ndërsa Ricardo Pereyra e shënoi golin e ngushëllimit për vizitorët.

Pas kësaj fitoreje, zikaltërve iu dorëzuan medaljet dhe trofeu i Scuddetos në fushë.

Interi e mbyll sezonin me 91 pikë, 28 fitore, 7 barazime dhe vetëm 3 humbje.

Ky është titulli i parë i Interit që prej sezonit 2009/10, kur e kishte fituar për herë të fundit nën udhëheqjen e Jose Mourinhos.

Ndërsa, për Conten ky është titulli i katërt në karrierë si trajner, i pari me Interin, pasi tre të tjerë i kishte fituar me Juventusin.

Të ngjashme