Ekipi nga Serie A, Interi është futur në garë për shërbimet e mbrojtësit Shkodran Mustafi, ka raportuar të premten “Tuttosport”.
Mësohet se te Interi po e shohin Mustafin si opsion të mirë dhe të lirë për sezonin e ardhshëm. Mustafi, që është pjesë e skuadrës së Arsenalit, në verë do të mbetet futbollist i lirë pasi i skadon kontrata me londinezët.
Tek Interi po shpresojnë që të firmosin parakontratë me Mustafin në janar, në mënyrë që të sigurojnë shërbimet e tij për sezonin e ri.
Mustafi do të largohet nga Arsenali në fund të sezonit pasi klubi londinez nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës. 28-vjeçari, këtë edicion ka vetëm shtatë paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat.
Ai te kjo skuadër u pat transferuar në vitin 2016 nga Valencia për 41 milionë euro derisa karrierë ka bërë edhe te Sampdoria. Krahas Interit, situatën e Mustafit po e monitorojnë edhe Barcelona e Eintracht Frankfurti.