UÇK, UÇK”, “Thaçi, Thaçi”, ishin disa nga brohoritjet e qytetarëve, teksa Albin Kurti po zhvillonte vizitë në Skenderaj.
Por, pse u nevojit ndërhyrja e Njësisë Speciale në vizitën e kandidatit për kryeministër, në rajonin qendror të Kosovës?
Policia thotë se me rastin e zgjedhjeve të parakohshme është përgatitur urdhri operativ me qëllim që të ofrohet siguria, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike.
“Policia e Kosovës, lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me kohë ka përgatitur urdhrin operativ, i cili ka për qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat, para gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Përveç brohoritjeve, banorët e kanë sulmuar Kurtin edhe me vezë, si pasojë e këtij presioni, ai është larguar nga tubimi, derisa policia po e izolonte turmën.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe planifikimeve të saja operacionale…Veprimet policore realizohen konform urdhrit operativ, ku sipas informacioneve dhe vlerësimeve operacionale, angazhohen njësitet relevante policore me qëllim të krijimit të një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, përfundon përgjigja e policisë për incidentin e mbrëmshën në Skenderaj.
Komunikata e plotë e Policisë:
Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e planit policor në katër faza, duke filluar nga;
1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,
2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,
3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),
4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:
Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.
Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.