Njohësi i çështjeve ekonomike si dhe profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Sejdi Rexhepi, thotë se BQK si institucion që mbikqyrë ato financiare duhet të marrë vendime të argumentuara, pasi që këto mund të dekurajojnë investitorin e huaj. Në një intervistë për Gazetën Metro, ai thotë se kreditë, përkatësisht huatë janë një mënyrë e domosdoshme e jetesës së bizneseve por edhe të vetë qytetarëve në botën bashkëkohore.
Sejdi Rexhepi thotë se nëse marrja e vendimit është bërë në mënyrë të ngutshme pa një bazë të mjaftueshme rregullative dhe pa i ndjek të gjitha veprimet paralajmëruese deri në marrjen e licencës, ky mund të jetë një mesazh i keq dekurajues për investitorët e jashtëm por edhe ata të brendshëm.
Intervista e plotë:
Si ekspert i çështjeve ekonomike, si i cilësoni veprimet e fundit te Bankës Qendrore te Kosovës karshi këtyre dy institucioneve mikrofinanciare?
Rexhepi: Banka Qendrore e Kosovës është institucioni i vetëm që licencon, rregullon dhe mbikëqyrë institucioneve financiare duke përfshi këtu edhe ato mikrofinanciare. Natyrisht duke qenë se nuk kam informata të sakta lidhur me fushveprimtarinë për të cilën kanë marrë licencë këto dy institucione, e kam vështirë që të jap një vlerësim të bazuar lidhur me arsyeshmërinë e tërheqjes së licencës. Si do që të jetë, dua të supozoj se BQK i ka shterur të gjitha veprimet e duhura në pajtim me ligjet në fuqi, para se të merr një vendim të tillë.
A mendoni se kjo do te ndikoje te investitorët e huaj ne Kosove?
Rexhepi: Shikuar në parim, ky veprim i BQK nuk do të duhej që të ndikoj në ecurinë e investimeve të huaja në Kosovë. Për faktin se ajo është rregullator dhe mbikëqyrës, është e natyrshme që bizneseve të cilat nuk funksionojnë në pajtim me rregullativen ligjore ose fushëveprimtarinë për të cilën janë licencuar, e njëjta të ju tërhiqet. Çështje tjetër është se a kanë funksionuar këto biznese në pajtim ligjet dhe rregullativën aktuale, sikurse që edhe mund të shtrohet pyetja se BQK a ka pas alternativa tjera vendim-marrje, ose a i ka përdorë të gjitha mjetet në dispozicion para se me marrë këtë vendim përfundimtar, përkatësisht, a është vendimi i bazuar? Varësisht nga përgjigja në këto dy dilema atëherë edhe mund të nxjerrim përfundim lidhur me atë se sa do të demotivohen përkatësisht motivohen investimet e huaja. Një treg i rregulluar është në interes edhe të investitorëve potencial të huaj dhe atyre vendor, dhe anasjelltas çdo vendim jo i argumentuar mund të dekurajoj shumë investitorët potencial.
Flitet se licenca është tërhequr për shkak të faktit se këto institucione nuk ju kanë përmbajtur planit të biznesit në bazë të të cilit janë licencuar, çka mendoni lidhur me këtë?
Rexhepi: Vetë fjala “Plani i Biznesit” tregon se fjala është për një plan, dhe jo për një ligj, apo për një rregull e cila nuk mund të ndryshohet. Në realitet plani i biznesit është një përmbledhje e aktiviteteve të cilat biznesi mendon që ti zhvilloj brenda një periudhe të caktuar, ku në mënyrë të detajuar jepen fakte lidhur me mënyrën se si do të siguroj të hyrat (ardhurat) si dhe cilat do të jenë shpenzimet që biznesi do ti ketë. Për rregullatorin në këtë rast me rëndësi është që fushë-veprimtari e biznesit të jetë brenda kornizës për të cilën ka kërkuar që të licencohet dhe në të njëjtën kohë përmes planti të ofrohen prova të mjaftueshme se biznesi do të funksionoj në mënyrë rentabile. Plani i biznesit është projeksion i supozuar i cili mund të realizohet nën kushtet e supozuara ekonomik e politike. Por, si rezultat i rrethanave të papërshtatshme në treg, por edhe atyre shoqërore e politike, mund të mos realizohet, apo e kundërta, për shkak të rrethanave të favorshme ai edhe mund të tejkalohet, dhe biznesi të zgjerohet dhe të rris aktivitetin e vet. Kjo natyrisht është në interes të vetë biznesit, të punësuarve por edhe të vendit, sepse vetëm përmes zhvillimit të bizneseve do të kemi zhvillim të përgjithshëm. Unë nuk besoj dhe realisht nuk do të duhej të ndodhte që dikujt ti terheqet licenca për shkak të tejkalimit të projeksioneve afariste të parapara me planin e biznesit. Nëse aktivitetet të cilat këto biznese i kanë kryer kanë qenë jashtë aktiviteteve të parapara me licencë, apo në kundërshtim me ligjet dhe rregullativën aktuale, kjo është një çështje tjetër që natyrisht mund të penalizohet deri në marrje edhe të licencës.
A mendoni se Kosova ka nevoje për shërbime inovative si ato qe kane ofruar këto dy institucione?
Rexhepi: Kreditë, përkatësisht huatë janë një mënyrë e domosdoshme e jetesës së bizneseve por edhe të vetë qytetarëve në botën bashkëkohore. Kosova ka një ekonomi të pazhvilluar ku një pjesë e madhe e popullsisë jetojnë në kufi të varfërisë, kurse huamarrja është mënyrë e ekzistencës. Unë mendoj se çdo risi në sektorin bankar dhe jobankar që e lehtëson jetën e qytetarëve duhet të përkrahet dhe është e mirëseardhur. Por ajo që është e nevojshme është që paraprakisht, rregullatori të ndërtoj instrumente të mjaftueshme ligjore, të cilat do të mundësojnë që çdo risi që vjen në treg së pari të vlerësohet në kuptimin e efekteve të tij në ekonomi por edhe në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve. Në qoftë se një treg nuk rregullohet dhe nuk vendosen korniza të qarta, atëherë ai mund të “shfrytëzohet” nga bizneset për përfitime nga aktivitetet jo të ndaluara në mënyrë eksplicite. Në këtë mënyrë nga këto “inovacione” do të përfitojnë bizneset, kurse përfitimet për masat e gjëra do të jenë të momentit por me një kosto shpesh të papërballueshme. Kur them këtë mendoj në qytetarin mesatar i cili kur është në telashe financiare, nuk do të kërkoj shumë informata, ai do thjesht zgjidhje momentale përmes kredisë të cilën më vonë nuk do të ketë mundësi ta kthej për shkak të normave të larta të kamatave apo provizioneve të ndryshme.
Banka Qendrore e Kosovës për vite me radhë ka mbrojtur qëndrimin se normat kamatore duhet të rregullohen në treg përmes ofertës dhe kërkesës, përkatësisht si rezultat i konkurrencës. Ndonëse në përgjithësi kemi një ulje të normave të kamatave në sistemin bankar, institucionet financiar jobankare vazhdojnë që të mbajnë norma të larta të kamatave pikërisht si rezultat i këtyre “inovacioneve” që nuk janë rregulluar nga BQK.
Si ekspert i fushës, si e konsideroni mundësinë e kthimit te licencës për këto kompani?
Rexhepi: Sigurisht se kjo pyetje i tejkalon informatat që unë i kam lidhur me arsyet e marrjes së licencës. Megjithatë, konsideroj se tash kur këto institucione janë në proces të likuidimit, gjasat që licenca të kthehet thuajse janë minimale, ose nuk ekzistojnë fare. Nuk di ndonjë rast kur disa muaj pasi që të ketë filluar procesi i falimentimit, i njëjti të jetë ndërpre dhe institucionit t’í jetë kthyer licenca. Aq sa unë di, legjislacioni aktual nuk parasheh një mundësi të tillë. Megjithatë, ekonomia është proces i ndryshueshëm, kurse praktika ekonomike dhe juridike nuk është statike. Në qoftë se likuidatori vlerëson që përftimet nga ri-vlerësimi janë më të mëdha se sa dëmet që janë shkaktuar ose që do të shkaktoheshin nga falimentimi dhe procesi i falimentimit, atëherë edhe kthimi i licencës nuk do të duhej të përjashtohej, por kjo do të duhej të ishte rezultat i negocimit dhe përmirësimeve të nevojshme të kërkuara nga BQK dhe aprovimit nga ana e institucioneve përkatëse mikrofinanciare.
A mendoni se vendimi i BQK-se ka ardhur si rezultat i presioneve te grupeve te ndryshme te interesit?
Rexhepi: BQK e ka për obligim që të zbatoj ligjin. Theksova më parë se nuk kam informata të mjaftueshme për arsyet e tërheqjes së licencës, andaj nuk dua të jap vlerësime spekulative.
Si e komentoni kërkesën e BQK-se ndaj konsumatorëve për kthimin e kredive qe i kane marre ne këto dy institucione me kamatat e njëjta shkak i te cilave BQK ka deklaruar qe janë revokuar licencat?
Rexhepi: Ne duhet të kuptojmë se të gjitha diskutimet dhe dilemat për çfarëdo çështje duhet të shteren para se të nënshkruhet kontrata. Pasi të nënshkruhet, kontrata ka fuqi ligjore. Andaj është e natyrshme që likuidatori kërkon që borxhet e klientëve të kthehen sipas kontratave të lidhura dhe të nënshkruara paraprakisht.
I njëjti konstatim vlen edhe për dhënien e licencës për punë. E njëjta nuk mund të tërhiqet pa pasur argumente të besueshme për shkelje esenciale, për faktin se operatori ekonomik ka hy në obligime dhe ka bërë shpenzime për të ndërtuar infrastrukturën fizik dhe kadrovike, ka punësuar dhe ka bërë kontrata, ka bërë plane dhe investime, ka një emër dhe një reiting në treg. Çdo prishje e kontratës në mënyrë të pabazuar dhe pa argumente, ka pasoja juridike dhe financiare për atë që e prish.
A mendoni se zhvillime te tilla demotivojne fuqinë punëtore për te kërkuar vende pune ne sektorin privat?
Rexhepi: Dështimet dhe sukseset janë dukuri përbërëse të ekonomisë së tregut. Ajo çka është më rëndësi është zbatimi i ligjit në mënyrë të njëjtë për të gjithë, në mënyrë që në treg të mos ketë favorizime. Këtu vije në shprehje roli Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i cili pastaj duhet të ndërmerr veprime që në asnjë rrethanë nuk do të lejoj që grupe të caktuara të interesit të ndikojnë në marrjen e vendimeve të çfarëdo natyre.
Në këtë rast nuk shohë ndonjë lidhje të drejtpërdrejt në mes të marrjes së licencës për këto dy institucione mikrofinanciare dhe motivimit për punë në sektorin privat. Unë konsideroj se pikërisht sektori privat nuk ka qasje të duhur ndaj të punësuarve si rezultat i pagave të ulta, orareve të gjata dhe kushteve jo të mira të punës. Natyrisht edhe këtu ka përjashtime për të mirë. Këtu rol të veçantë duhet të luaj inspeksioni shtetëror e në veçanti sindikatat.
Ne situatën kur ne Kosove ka rënie te investimeve te huaja, çfarë mesazhi dërgojnë këto lloj vendimesh dhe pa paralajmërim nga institucionet rregullative si BQK ne këtë rast?
Rexhepi: Unë nuk kam informata të sakta lidhur me atë se cilat kanë qenë hapat qe i ka ndërmarr BQK para se me vendos për tërheqjen e licencës për këto dy institucione. Në çdo rast nëse marrja e licencës ka ardhur si rezultat i mos respektimit të rregullativës ligjore nga ana e këtyre institucioneve mikrofinanciare, dhe nëse BQK ka zbatua të gjitha veprimet e nevojshme paraprake, atëherë mesazhi është pozitiv, se në Kosovë mbizotëron ligji për të gjithë në mënyrë të barabartë dhe se moszbatimi i tyre ka pasoja. Kjo mund edhe ti inkurajoj investimet e huaja në Kosovë.
Por, nëse marrja e vendimit është bërë në mënyrë të ngutshme pa një bazë të mjaftueshme rregullative dhe pa i ndjek të gjitha veprimet paralajmëruese deri në marrjen e licencës, ky mund të jetë një mesazh i keq dekurajues për investitorët e jashtëm por edhe ata të brendshëm.