Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë shënuar rënie për 10 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti (TM1 – 2016). Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), IHD-të e pranuara në Kosovë, në TM1 – 2016, arritën vlerën prej 72.0 milionë euro që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 82.7 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Sipas publikimit, në kuadër të strukturës së IHD-ve, me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, përfshirë kapitalin dhe fondin e investimeve në aksione, si dhe investimet në instrumentet e borxhit.
“Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 71.4% të gjithsej IHD-ve, shënoi vlerën prej 55.7 milionë euro, e cila është për 9.6% më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjithashtu, IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 16.3 milionë euro e cila është për 22.5% më e ulët kundrejt vitit paraprak”, theksohet në publikimin e BQK-së, raporton EkonomiaOnline.
Zvogëlim i IHD-ve, në Kosovë sipas BQK-së, u evidentua në sektorin e patundshmërive, sektor që shënoi vlerën prej 44.5 milionë euro (11.5 milionë euro më pak krahasuar me TM1 – 2015), pastaj sektori i shërbimeve financiare që kishte vlerën prej 14.1 milionë euro (7.4 milionë euro më pak krahasuar me TM1 – 2015), etj. Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të IHD-ve ishin sektori i shërbimeve tregtare, sektori i transportit dhe sektori i bujqësisë.
Vlera e IHD-ve në sektorin e shërbimeve tregtare arriti në 4.2 milionë euro (2.5 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 – 2015), në sektorin e transportit 4.1 milionë euro (4.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 – 2015), në sektorin e bujqësisë 0.8 milionë euro (0.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 – 2015), etj.