Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë me anë të një deklaratë shprehen se po ndjekin me shqetësim të thellë situatën aktuale politike në Shqipëri.
“Shumë nga anëtarët tanë kanë shprehur frustrim lidhur me pasigurinë politike që po ndikon drejtpërdrejtë negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Investitorët e huaj u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.
“Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira, veçanërisht qeveria dhe opozita, të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend”, thuhet në deklaratë.