Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Valentin Inzko, sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e paraqet raportin për gjendjen në këtë vend.
Në raportin për periudhën 22 prill – 21 tetor të këtij viti, zoti Inzko thekson se fokusi i liderëve politikë në Bosnjë-Hercegovinë është në ndarje dhe çështje nacionaliste, megjithqë ka mbetur edhe një vit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.
Mëtutje, Inzko ka theksuar se presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, dhe anëtarët e tjerë të partisë së tij, Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur, “e kanë zvogëluar numrin e thirrjeve për shkëputje të Republikës Serbe dhe shkatërrim të Bosnjë-Hercegovinës”, pasi në muajin janar, Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër tij dhe e kanë vënë “në listën e zezë”, raporton agjencia Beta.
Megjithatë, “Dodik ka vazhduar të japë “deklarata të shumta për pavarësinë eventuale të Republikës Serbe dhe bashkimim me Serbinë”, thuhet në rapotin e zotit Inzko, dhe shtohet se “disa politikanë kroatë kanë vazhduar të kërkojnë riorganizim të vendit sipas linjave etnike”.
Por, në periudhën e raportimit, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, tha se ka pasur edhe hapa pozitivë, veçanërisht në aspektin e implementimit të agjendës së reformave.