Ipeshkvia tërhiqet nga vendosja e shtatores së Anton Çettës

Prishtinë | 14 Jan 2021 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Ipeshkvia e Kosovës është tërhequr nga vendosja e shtatores së Anton Çettës. Pas reagimit të vajzave të Çettës, KOHA ka konfirmuar se Ipeshkvia ka marrë vendim që shtatorja të mos vendoset në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza”. Nesër (e premtë) do të vendoset vetëm shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Që të dyja janë vepra të skulptorit Fatmir Hoxha.

Një tjetër, e punuar nga Agon Qosa, është përzgjedhur e financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e Komuna e Prishtinës, në nëntor të vitit të kaluar, ia caktoi lokacionin – në oborrin e Fakultetit të Filologjisë. Është familja e Çettës e cila të mërkurën vonë ka reaguar ndaj vendimit të Ipeshkvisë.

“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhet në reagimin e familjes. Sipas familjes, “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës” pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. “Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, ka vlerësuar familja Çetta.

Reagimit i është bashkëngjitur edhe shkresa që familja e prof. Anton Çettës ia ka drejtuar zyrtarisht Imzot Dodë Gjergjit – Ipeshkëv i Kosovës, më 24 dhjetor të vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme