IPK realizoi një ligjëratë me studentë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Prishtinë | 19 Mar 2025 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për vetëdijesimin e qytetarëve dhe studentëve mbi fushëveprimin ligjor të tij, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” u mbajt një ligjëratë me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Kosovë”. Ky aktivitet, i organizuar për studentët e Fakultetit Juridik, kishte për qëllim informimin dhe ngritjen e vetëdijes së tyre mbi mekanizmat e mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë dhe rolin e IPK-së në ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.

Profesoresha e Fakultetit Juridik Albulena Hajdari, në fillim të këtij organizimi, falënderoi përfaqësuesit e IPK-së për angazhimin e tyre në këtë fushë dhe theksoi rëndësinë që kanë aktivitete të tilla për studentët e drejtësisë. Ajo vuri në dukje se bashkëpunimi mes institucioneve akademike dhe atyre të zbatimit të ligjit është kyç për edukimin e juristëve të rinj dhe për ngritjen e vetëdijes së tyre mbi sfidat dhe praktikat e mbikëqyrjes institucionale.

Kurse përfaqësues të autorizuar të IPK-së, Arben Vrajolli dhe Bajram Fetahu  prezantuan detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj agjencie mbikëqyrëse, duke theksuar rëndësinë e saj në sigurimin e profesionalizmit dhe llogaridhënies brenda forcave policore. Ata shpjeguan mekanizmat e mbikëqyrjes që zbaton IPK-ja për të garantuar respektimin e ligjit dhe bashkëpunimin e saj të ngushtë me sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Profesorët e Fakultetit Juridik që ishin të pranishëm në këtë organizim, Fadil Osmani, Vaxhid Sadriu dhe të tjerë, gjithashtu shprehen mirënjohjen për IPK-në që ndan përvojën e tyre me studentët dhe uruan që aktivitete të tilla të vazhdojnë të mbahen edhe në të ardhmen. Profesorët theksuan se kjo ligjëratë u mundëson studentëve të lidhin teorinë me praktikën profesionale, duke marrë njohuri të drejtpërdrejta për procedurat hetimore dhe rregullat mbi përgjegjësinë institucionale në kuadër të sigurisë publike.

Gjatë ligjëratës, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të detajuara nga përfaqësuesit e IPK-së mbi temat që lidhen me mekanizmat e kontrollit, hetimet e pavarura mbi Policinë e Kosovës dhe ndërlidhjen e punës së IPK-së me organet gjyqësore.

Ky aktivitet ka ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë rolin dhe funksionimin e IPK-së, sfidat me të cilat përballet ky institucion dhe rëndësinë e tij në forcimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

IPK falënderon stafin akademik të Universitetit Publik “Kadri Zeka”për bashkëpunimin dhe përkrahjen e dhënë për realizimin e këtij aktiviteti.

Të ngjashme