IPKO synon të vendosë 100 stacione agrologjike në të gjithë Kosovën

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 11:16 | Nga

Ngritja e temperaturave dhe njëkohësisht paraqitja e reshjeve të mëdha, ka ndikuar në rritjen e rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve tek kulturat bujqësore. Duke u bazuar në të dhënat e marra nga IPKO-Stacionet Agrologjike, mund të konstatohet se rrezikshmëria për paraqitjen e myshqeve në kulturën e vishnjes është shumë e lartë.

Mëngjesin e sotëm, tek stacioni agrologjik i vendosur në fshatin Hereç të Gjakovës, sensorët tregojnë një rritje të lartë të lagështisë së gjetheve, duke kaluar pragun prej 15 min në 25 min, e që është vlera ideale për fillimin e përhapjes së infeksioneve.

Siç shihet në grafikune mëposhtëm, me rritjen e lagështisë, poashtu rritet edhe probabiliteti për shfaqjen e myshqeve dhe sëmundjeve tjera tek kultura e vishnjës.

Si pasojë e ndryshimit të shpeshtë të temperaturave të ajrit dhe lagështisë relative të cilat po ndodhin në vendin tonë kohëve të fundit, janë krijuar kushte për zhvillim intensiv të popullacioneve të Aphideve (morrit të gjelbër) te kultura e mollës.

Ndonëse është pritur që pas muajit qershor forca e aphideve të bie, këto kushte klimatike siç shihet edhe në grafikun e mëposhtëm e favorizojnë morrin e gjelbër.

Pasi të bëhet numërimi i kolonive dhe kur në 100 lastarë me gjethe të analizuara të gjenden 10 -15 lastarë me koloni të morrit të gjelbër, atëherë duhet të fillojë trajtimi me insekticide.

Deri më tani, IPKO ka instaluar 16 stacione agrologjike në kuadër të fazës së pilotimit, të cilat për momentin janë duke gjeneruar të dhëna për fermerët e Kosovës. Ndërsa 1 stacion agrologjik i është dhuruar Universitetit të Prishtinës, që trajton parametrat fizik dhe ofron të dhëna elektronike-të proceduara për kushtet agrologjike, në përputhje me nevojat e studentëve të Fakultetit të Bujqësisë.

Deri në fund të projektit, IPKO synon që të vendosë 100 stacione agrologjike në të gjithë Kosovën, të cilat do të jenë në shfrytëzim të të gjithë fermerëve Kosovar.

Stacionet agrologjike, do t’u ofrojnë fermerëve informatat e nevojshme, përfshirë edhe matjen e kushteve të tokës dhe ajrit përmes aplikacioneve specifike.Të gjitha informatat shpërndahen përmes SMS-ve për fermerët e regjistruar dhe që posedojnë numër të IPKO-së.

“IPKO-Parashikimi Agrologjik”, është projekt i iniciuar dhe financuar nga IPKO Telecommunications L.L.C, i cili ka për qëllim të ndihmojë dhe t’u shërbejë fermerëve të Kosovës në kultivimin e kulturave bujqësore përmes zgjidhjeve inovative.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme