Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të zbatimit të planit
operacional për mbikëqyrjen e tregut, ka filluar sot aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që
ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.
Inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës,
Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për
ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar
masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të
detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike,
si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor.
Në kuadër të planit operacional, IQMT do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në
Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin
për ndërmjetësime tjera monetare.
IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që ushtrojnë këtë veprimtari të sigurojnë
përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve minimale
teknike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe duke u pajisur
me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), sipas legjislacionit
në fuqi.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë zbatimin e këtij aksioni deri në
përfundimin e plotë të planit operacional, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e
interesit publik dhe krijimin e një tregu të rregulluar, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë
operatorët ekonomikë.