Iraku u ka kërkuar ndihmë Kombeve të Bashkuara për të bërë hetime rreth “krimeve kundër njerëzimit”, të kryera nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.
Në një letër të publikuar nga ministri i Jashtëm i Irakut, Ibrahim al-Jafaari, thuhet se forcat qeveritare, që kanë çliruar Mosulin nga kontrolli i Shtetit Islamik, kanë gjetur fakte të krimeve, duke përfshirë vrasjet masive, skllavërinë seksuale dhe shkatërrimin e pasurisë arkeologjike.
Ai ka thënë se Britania e Madhe është duke ndihmuar në krijimin e një rezolute, e cila më pas mund të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për të nisur një hetim ndërkombëtar.
Zëvendësambasadori i Britanisë, Jonathan Allen, i ka konfirmuar përpjekjet, duke thënë se qëllimi i tyre është “zhdukja e çdo vendi, ku mund të fshihet Shteti Islamik”.
Ambasadori rus, në OKB, Vassily Nebenzia, ka thënë se Moska do ta mbështesë rezolutën.
Avokatja britanike për të drejtat e njeriut, Amal Clooney, e cila ka mbrojtur minoritetin jazidi në Irak, pas vrasjeve masive dhe skllavërisë seksuale nga Shteti Islamik, ka përshëndetur një hap të tillë.
“Jazidët dhe viktimat e tjera të Shtetit Islamik duan drejtësi nga gjykata dhe ata nuk meritojnë asgjë më pak”, ka thënë ajo.
“Shpresoj që letra e qeverisë irakiane do të shënojë fillimin e dhënies fund të mosndëshkimit të gjenocidit dhe krimeve të tjera që po kryen Shteti Islamik në Irak dhe vende të tjera në botë”, ka shtuar tutje Clooney.