Në kohën kur trupat e 11 ukrainasve të vrarë nga rrëzimi i aeroplanit në Iran u kthyen në atdhe, hetuesi kryesor i aksidentit tha se republika islamike nuk do t’i dërgojë kutitë e zeza jashtë vendit për t’u analizuar.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, e citoi hetuesin Hassan Rezaifer të ketë thënë se kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas janë në duart e iranianëve dhe se ata nuk kanë plane për t’i dërguar jashtë vendit.
Në anën tjetër, autoritetet e Kanadasë të dielën e përsëritën kërkesën ndaj Iranit që kutitë e zeza t’i dërgojë menjëherë në Francë ose në Ukrainë.
“E përsërita pozicionin e Kanadasë që kutitë e zeza duhet të dërgohen sa më shpejt që është e mundur në Ukrainë ose Francë në mënyrë që të bëhet ekspertiza në formë transparente”, tha ministri i jashtëm kanadez, Francois-Philippe Champagne, pas bisedës me homologun iranian, Mohammad Javad Zarif.
Zyrtarët iranianë e kanë arsyetuar rrëzimin e aeroplanit me një gabim për shkak të gjendjes së lartë të gatishmërisë nga sulmet e mundshme amerikane, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Shumica e viktimave të këtij aksidenti ishin iranianë dhe kanadezë. Nga rrëzimi i aeroplanit të kompanisë “Ukraine International Airlines” e humbën jetën të gjithë 176 personat që ndodheshin në të.