Irani nuk i frikësohet sanksioneve të reja amerikane, që pritet të hyjnë në fuqi gjatë ditëve në vijim, citohet të ketë thënë të mërkurën presidenti i Iranit, Hassan Rouhani.
SHBA-ja planifikon që të vendosë sanksione, të cilat do ta kenë në cak sektorin iranian të naftës, që nga 4 nëntori.
“4 nëntori i këtij viti simbolizon padrejtësinë e re prej amerikanëve”, e ka cituar agjencia IRNA presidentin Rouhani, transmeton Koha.net.
“Por, iranianët duhet të jenë të sigurt se qeveria nuk u frikësohet kërcënimeve amerikane”. Ai ka shtuar: “Gjatë muajve të kaluar, njerëzit janë përballur me kohë të vështira dhe ka mundësi që edhe muajt në vijim të jenë të tillë. Por, qeveria do të bëjë çmos që t’i zbusë këto probleme”.