Irani paralajmëroi shpikjen e një pajisje këtë javë, për të cilën prentendon se mund të zbulojë raste të personave me Coronavirus, nga një largësi prej afro 100 metrash, shkruajnë mediat e huaja.
Shefi i Gardës Revolucionare iraniane, Hossein Salami, u shpreh se shkencëtarët vendas kishin shpikur pajisjen më të mirë, të zbuluar deri më tani për COVID-19. Madje sipas tyre pajisja nuk ka nevojë për test gjaku. Sipas mediave iraniane, pajisja është testuar tek disa spitale në vend dhe ka një saktësi 80%. Gjithashtu ata shtojnë se është e efekshme për të gjithë llojet e viruseve.
“Pajisja krijon një fushë magnetike e cila lokalizon një infeksion virusi brenda një rreze prej 100 metrash. Kur antenna e pajisjes drejtohet në një lokacion speifik, ajo do të zbulojë vendin e kontaminuar, për rreth pesë sekonda”, u shpreh komandanti.
Ndërkohë, kujtojmë që Irani është një nga vendet më të prekura nga Coronavirusi në botë. Deri më tani në vendin islamik janë regjistruar 4,958 persona të vdekur ndërsa 79,494 janë shpallur të infektuar./TCH