Irani tërhiqet edhe nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Irani tha se do të heqë dorë edhe nga një pjesë e angazhimeve që ka pasur me marrëveshjen bërthamore, të arritur me fuqitë botërore, në vitin 2015.

Presidenti Hassan Rohani tha të martën se Irani do të nisë bartjen e gazit të uraniumit në 1,044 centrifuga, edhe pse një gjë e tillë nuk është e lejuar me marrëveshjen bërthamore.

“Do ta ndërmarrim këtë hap nga nesër. Unë do t’ia jap urdhrin organizatës së energjisë atomike dhe do ta udhëzoj atë ta bëjë këtë”, tha Rohani.

Irani ka nisur të tërhiqet nga angazhimet e parapara me marrëveshjen bërthamore prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ky pakt, më shumë se një vit më parë.

Një ditë më herët, Irani po ashtu njoftoi se tani po vepron me centrifuga më të avancuara që mund të pasurojnë uraniumin më me efikasitet.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit 2018 dhe, që atëherë, ka rikthyer sanksionet ndaj ekonomisë iraniane.

Me këtë marrëveshje, Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Zyrtarët iranianë thonë se palët e mbetura në marrëveshje – Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina – nuk kanë arritur t’i lehtësojnë efektet e sanksioneve të SHBA-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme