Iranianët shënojnë 42-vjetorin e rrethimit të ambasadës së ShBA-së

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Mijëra iranianë kanë marrë pjesë në tubimet e organizuara nga qeveria për shënimin e marrjes nën kontroll të ambasadës së ShBA-së në Teheran, duke brohoritur “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit” dhe duke i djegur flamujt e këtyre dy vendeve.

Marrja e ambasadës amerikane nën kontrollin e iranianëve kishte shkaktuar një krizë 444-ditore me pengje dhe prishje të raporteve diplomatike mes dy vendeve, që vazhdon edhe sot e asaj dite, shkruan RFE, transmeton Gazeta Express.

Televizioni shtetëror të enjten raportoi se 800 qytete në mbarë Iranin kanë organizuar demonstrata. Vitin e kaluar, autoritetet e anuluan këtë organizim për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Gjeneral Hossein Salami, komandanti i Rojave Revolucionare Islamike, mbajti një fjalim para turmës në Teheran duke e dënuar atë që e quajti agresion të ShBA-së në rajon gjatë dekadave të fundit. Një flamur i madh amerikan u shtri në rrugë në mënyrë që protestuesit të mund ta shkelnin.

Ky organizim i shënon ngjarjet e 4 nëntorit të vitit 1979, kur studentët iranianë kishin arritur që të futen në ndërtesën e ambasadës amerikane, të zemëruar nga vendimi i presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Jimmy Carter, për ta lejuar ish-udhëheqësin Shah Mohammad Reza Pahlavi që të merrte trajtim kundër kancerit në Shtetet e Bashkuara.

Të ngjashme