Iranit i kërkohet shfuqizimi i dënimit me vdekje për rastet e drogës

Prishtinë | 25 Kor 2017 | 13:19 | Nga

Ligjvënësit iranianë kanë propozuar ndryshime për ligjin e ashpër kundër drogës, të cilat parashohin shfuqizimin e dënimit me vdekje për disa vepra të lidhura me drogën.

Në rast se miratohet nga Parlamenti, amendamenti i propozuar mund të zvogëlojë numrin e ekzekutimeve në Republikën Islamike, e cila njihet si një prej vendeve me shkallën më të lartë të shqiptimit e dënimit me vdekje.

Irani është përballur me rritje të presionit ndërkombëtar për të zvogëluar numrin e rasteve që u shqiptohet dënimi me vdekje. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se Irani ka ekzekutuar të paktën 567 persona gjatë vitit 2016 dhe afro 1,000 të tjerë në vitin 2015.

Në këto shifra përfshihen edhe shumë burra nga Afganistani, vend prej të cilit në mënyrë të paligjshme dërgohet pjesa më e madhe e drogës në Iran.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se 70 për qind e të gjitha ekzekutimeve në vend, janë shqiptuar për vepra të lidhura me drogën.

Edhe brenda Iranit ka pasur thirrje për shqiptim më të paktë të dënimit kapital, për rastet e lidhura me drogën. Kritikët kanë thënë se një dënim i tillë ka ndikuar shumë pak në uljen e rasteve të përdorimit dhe trafikimit të këtyre substancave.

Irani është një prej vendeve me ligjet më të ashpra në botë sa i përket drogës. Në këtë vend mund të kërkohet dënim me vdekje në rast të trafikimit apo posedimit të 30 gramëve heroinë apo kokainë.

Më 16 korrik, Parlamenti iranian pati miratuar një propozim për ndryshimin e ligjit për të ndaluar dënimin me vdekje për raste të vogla, jo të dhunshme, që janë të lidhura me drogën. Sidoqoftë, kryetari i Parlamentit, Ali Larijani, e ktheu draftin e projektligjit mbrapa në komitetin gjyqësor të Parlamentit për shqyrtim të mëtutjeshëm.

“Jam konsultuar me udhëheqësin e gjyqësorit sa i përket këtij projektligji”, është cituar të ketë thënë Larijani, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

“Ata kanë thënë se janë pajtuar me parimet e projektligjit, mirëpo janë disa detaje të cilat duhet të rregullohen”, ka shtuar tutje ai.

Për tu fuqizuar një ligj i tillë, ai fillimisht duhet të miratohet nga Parlamenti dhe të ratifikohet nga Këshilli i Gardës Kushtetuese, një trup klerik i cili duhet të miratojë në tërësi projektligjin e propozuar.

“Kulmi i mizorisë”

Organizata Human Rights Watch, me bazë në Nju Jork, i ka bërë thirrje Parlamentit në Iran, të ndalojë dënimet me vdekje për veprat e lidhura me drogën, derisa Parlamenti është duke diskutuar për ndryshimet e këtij ligji.

“Është e pakuptimtë që drejtësia e Iranit të shqiptojë dënime me vdekje, duke u thirrur në ligjin i cili do t’i ndalojë këto ekzekutime në muajin e ardhshëm”, ka thënë, Sarah Leah Whitson, e cila drejton organizatën Human Rights Watch, në Lindjen e Mesme.

“Ky do të ishte kulmi i mizorisë, në rast se sot dikush dënohet me ekzekutim për një krim, i cili pas ndryshimeve ligjore mund të dënohet me maksimalisht 30 vjet burgim”, ka thënë ndër të tjera Whitson.

Në nëntor, zëdhënësi i komitetit gjyqësor parlamentar, Hassan Nowruzi, i ka bërë thirrje Parlamentit për ndryshim të ligjit, pasi në atë kohë 5,000 persona ishin në listën e rasteve që mund të ekzekutoheshin për veprat e lidhura me drogën.

Shumica prej tyre ishin në moshën 20-30 vjeçare, dhe kishin kryer shkelje të ligjit për herë të parë.

Në tetor, më shumë se 150 ligjvënës në dhomën prej 290 anëtarësh, kanë kërkuar të ndalohet ekzekutimi për trafikuesit e drogës. Ata po ashtu propozuan që dënimi me vdekje duhet të largohet edhe për ata që përfshihen në raste të trafikimit për shkak të varfërisë.

Në gusht, nënkryetari i departamentit të gjyqësorit për çështje sociale, Mohammad Baqer Olfat, pati thënë se dënimi me vdekje nuk i ka trembur trafikantët e drogës, pasi sipas tij numri i rasteve po rritej. Në vend të dënimit me vdekje, ai pati propozuar për trafikuesit, dënim të gjatë me burg dhe punë të vështirë.

“Qëndrim i rreptë”

Mirëpo, disa anëtarë të gjyqësorit i rezistojnë idesë së ndryshimeve për ligjin e drogës.

Në disa komente të publikuara në shtator, udhëheqësi i gjyqësorit, Ayatollah Sadegh Larijani, e ka mbrojtur “qëndrimin e rreptë” kundër ndryshimeve të ligjit.

“Në disa raste, duke përfshirë ato të trafikimit të drogës, ne jemi të detyruar të veprojmë shpejt, hapur dhe me vendosmëri”, ka thënë Larijani.

Sipas tij nuk duhet të hiqet dënimi me vdekje.

“Afganët e burgosur”

Mijëra afganë që janë të përfshirë në tregti të paligjshme të narkotikëve, kanë përfunduar në burgjet iraniane dhe janë ekzekutuar.

Afganistani është prodhuesi më i madh në botë i opiumit, i cili përdoret për përgatitjen e heroinës, derisa Irani është vend transit i drogës nga Azia Perëndimore dhe Evropa.

Ende nuk dihet saktë se sa është numri i afganëve të ekzekutuar në Iran, gjatë viteve të fundit.

Teherani e informon shumë rrallë Kabulin për ekzekutimin e banorëve të tij.

Sipas mediave afgane, rreth 2,000 qytetarë të Afganistanit janë burgosur në Iran për akuza të kontrabandim të drogës dhe akteve të tjera kriminale, derisa qindra prej tyre përballen me shqiptimin e dënimit me vdekje.

Ligjvënësit në Afganistan dhe grupe për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësimet e tyre, duke thënë se shume afganë që burgosen në Iran nuk gjykohen drejtë, për shkak të qasjes së kufizuar tek avokatët mbrojtës.

Për më shumë, sipas tyre afganëve të burgosur nuk u jepet mundësia për të marrë ndihmë nga Kabuli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme