Republika e Irlandës voton sot në një referendum të debatueshëm për ndryshimin e ligjeve të abortit.
Qendrat e votimit janë hapur mëngjesin e sotëm, në orën 7:00 lokale, e procesi do të vijojë deri në orën 22 të mbrëmjes. Votimi do të përcaktojë nëse do të shfuqizohet apo jo një pjesë e Kushtetutës, e njohur si “Amendamenti i Tetë”, që aktualisht ndalon abortin në vend.
Sipas ligjeve aktuale, aborti është i lejueshëm vetëm në rastet kur jeta e një femre është në rrezik, por në rastet e përdhunimeve, inçestit apo anomalive fatale të fetusit.
Banorët e ishujve irlandezë kanë votuar që prej së enjtes, për të siguruar që votat e tyre të mund të transportoheshin në kohë për në qendrat e numërimit.
Më shumë se 3.2 milionë banorë janë të regjistruar për të votuar në këtë referendum, ku mbi 100 mijë votues do ta kenë për herë të parë.
Referendumi vjen si rezultat i një debati disadekadësh mbi abortin në Irlandë dhe do të shënojë herën e gjashtë në këtë vend që votohet për këtë çështje.
“Amendamenti i Tetë”, i konsideruar kontrovers, është miratuar pas një referendumi të vitit 1983. Ai “njeh të drejtën për të jetuar të të palindurit dhe, duke marrë parasysh edhe të drejtën e barabartë për të jetuar të nënës, garanton në nenet e tij të respektojë dhe, për sa kohë që është e praktikueshme, të mbrojë dhe justifikojë këtë të drejtë”, duke nënkuptuar kështu se jeta e nënës dhe e të palindurit shihen si të barazvlefshme.
Në letrën e votimit nuk përmendet “Amendamenti i Tetë” apo “aborti”, por aty ka vetëm një pyetje të qartë: A e miratoni propozimin për të amenduar Kushtetutën që përmban edhe ligjin e përmendur më poshtë?
Numërimi i votave do të nisë mëngjesin e së shtunës dhe rezultatet priten gjatë pasdites së nesërme.