Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku është tallur me kryeministrin, Albin Kurti, duke kujtuar meselenë e famshme të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ironizoi duke thënë se sipas studimeve të fundit qershiat janë ushqimi i preferuar i luanit. Në këtë rast me gjasë luani është Albin Kurti.
”Studimet e fundit thonë se qershiat janë ushqimi i preferuar i luanit,” ka shkruar ajo.
Ndryshe, Musliu kishte sqaruar se çfarë kuptimi ka metafora me qershi që i kishte thënë kryeministrit Kurti para disa ditësh në Kuvend.
“Një person i cili gënjen pareshtur, ose thotë fjalë të pavërteta dhe kthehet i përpin fjalët e veta, është e njëjta me ato të qershive. Ka të bëjë me një qytetar i cili ka qenë i lodhur gjatë një udhëtimi të tij, dhe është ulur nën një qershi, i ka ngrënë qershitë sa i janë dashur, ndërsa qershitë tjera i ka keqpërdorur dhe i ka bërë të pashfrytëzueshme, sepse unë i hëngra dhe të mos i hanë të tjerët që do vijnë. Dhe kur kthehet rrugës, e zë lodhja prapë , dhe kthehet te qershitë që i ka dëmtuar vet. Ky është kuptimi”, kishte thënë ajo.
Sot shefi i ekzekutivit kosovar u pajtua që të nis menjëherë implementimin e nenit 7 të propozimit europian.
Megjithatë, ai para mediave u mundua të arsyetohet duke thënë se nuk është vetëqeverisje por vetëmenaxhim.
“Nuk është vetëqeverisja aty, por është vetëmenaxhim, e para, e dyta, unë jam kryeministër i gjithë qyetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, andaj angahzohem jo vetem për shqiptarët, por edhe për pakicat tjera pa dallim që shpesh harrohen”, tha ai.