Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është treguar amator në politikë me veprimin për tërheqje nga koalicioni.
“Ai nuk është treguar i durueshëm për të pritur kohën për të konkurruar në mënyrë të rregullt nëse ka pasur aspirata për t’u bërë kryeministër i vendit. U pa që veprimi i tij për tërheqje nga koalicioni ka qenë i gabuar sepse tani mbeti edhe pa postin e kryeministrit edhe pa ‘Fillimin e Ri’ të cilin e propagandoi për 5-6 muaj. Këto janë veprime amatoreske në politikë dhe si të tilla mua nuk më gëzojnë edhe përkundër asaj që janë bërë nga një kundërshtar apo parti rivale sepse është fjala për interesin e Republikës së Kosovës dhe kur është në pyetje shteti unë dëshiroj që të gjithë të bëjnë veprime të pjekura e jo veprime të një amatori në politikë”, ka theksuar Mustafa në intervistën e dhënë për RTK-në.
Mustafa ka këmbëngulur se bashkëqeverisja me PDK-në ka qenë e mirë për kushtet dhe rrethanat që kanë qenë. “Mund të them se asnjë qeveri pas luftës nuk ka kapërcyer faza kaq të rënda sa ka kapërcyer qeveria ime, sepse kemi pas dhunë brenda Kuvendit, gazlotsjellës dhe dhunë edhe jashtë Kuvendit. Jemi ballafaquar me forma të ndryshme të kundërshtimit, deri te koktej moltovi dhe në sulmet në shtëpinë time dhe pronat private. Por ne e kemi përballuar këtë situatë dhe kemi arritur përkundër kësaj situate ta ruajmë stabilitetin politikë, stabilitetin ekonomik, stabilitetin financiar dhe ta bëjmë sigurinë e plotë të qytetarëve të Kosovës, si dhe të tregohemi të pjekur në relacion me komunitetin ndërkombëtar. Kemi pasur probleme sa i përket çështjeve të asociacionit dhe demarkacionit, pastaj çështjes së dialogut”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka thënë se demarkacioni nuk ka qenë çështje partiake, sepse Komisioni për demarkimin e kufijve nuk është formuar në kohën e mandatit të tij.
“E kam gjetur atë komision në përfundim të punës së tij dhe duke pasur parasysh se unë jam sjellë në mënyrë shtetërore unë e kam pranuar raportin e atij komisioni. Nuk e kam trajtuar si komision që është formuar në kohën e qeverisjes së PDK-së, por e kam respektuar kontiunitetin shtetëror dhe si të tillë e kam vazhduar së bashku me presidentin e tashëm, i cili më herët ka qenë kryeministër dhe më pas zëvendëskryeministër në këtë qeveri. Ne kemi vlerësuar se Komisioni e ka bërë punën mirë. E kanë vlerësuar edhe institucionet ndërkombëtare se demarkimi është bërë mirë, mirëpo çështja e votimit në Kuvend nuk është punë e qeverisë. Ne punën tonë e kemi përfunduar, çështja e organizimit të Kuvendit është çështje që del jashtë kompetencave të qeverisë”, ka nënvizuar tutje Mustafa.
Kryeministri në detyrë e ka komentuar edhe veprimin e kompanisë Z-Mobile, e cila hoqi dorë nga inkasimi i 30 milionë eurove nga Telekomi i Kosovës.
“Kjo është një çështje shumë diskutabile, pasi si mund të heqë dorë dikush prej 30 milionë eurove të fituara në qoftë se i takojnë. Ato nuk janë 30 euro, as 300 euro e as 3000 euro por janë 30 milionë euro. Shtrohet pyetja ose ata kanë tepër para dhe më s’vlejnë 30 milionë euro, ose janë para të cilat nuk i kanë merituar dhe i kanë fituar në një proces të pamerituar ose janë marrëveshje për të cilat unë nuk di se ku është prapavija e tyre sepse edhe si ekonomist edhe si njeri më është e paqartë se si është e mundur që të arrihet një marrëveshje xhentelmene që dikush të heqë dorë prej 30 milionë eurove. Kjo fletë se ose ato para janë fituar nga një proces i pamerituar ose mund të kemi pasoja edhe nesër nga një marrëveshje të tillë të kompensimit. Ndoshta dikush mendon që ato para t’i falë që të mos i paguajë PTK-ja, por nesër ta gjejë një mënyrë tjetër që t’i paguajë qeveria apo qytetarët e Kosovës përmes tatimeve dhe taksave”, ka thënë Mustafa, për të vijuar: “Prandaj, unë vetëm thërras në vëmendje edhe tani, por edhe në qeverisjen e ardhshme që të shihet se si ka lindur ky problem prej lindjes, te arbitrazhi e deri te marrëveshja xhentelmene sepse nuk është një çështje që mund të bëhet lehtë apo që ne mund t’i mbyllim sytë dhe mund të themi se u arrit për një ditë një marrëveshje që dikush i falë 30 milionë euro. Me qenë shteti unë dyshoj që mund t’i falë e lëre më një kompani private ose një person privat. Pra është një çështje që duhet të shikohet, duhet të verifikohet dhe të argumentohet dhe të vlerësohet nga qytetarët. Unë marrëveshjen nuk e kam parë, pasi ajo nuk është prezantuar në Qeveri në asnjë rast. Qeveria është njoftuar nga PTK-ja për proceset që janë zhvilluar në arbitrazh, por jo edhe për marrëveshjen e fundit”.
Duke u rikthyer te koalicioni Mustafa ka thënë se nuk është bërë pishman për koalicionin me PDK-në, derisa e ka vlerësuar si të parapërgatitur koalicionin e PDK-së me AAK-në dhe Nismën. “Nuk jam penduar assesi për koalicionin me PDK-në. Prishja e koalicionit është një dobësi e partnerit të koalicionit. A ishte i parapërgatitur koalicioni PDK-AAK-Nisma? Unë besoj që po sepse vetë fakti i organizimit dhe ekzekutimit të mocionit e pasqyron këtë. Kjo e pasqyron qartë se ata kanë pasur një marrëveshje paraprake, për fat të keq i kanë involvuar edhe pakicat sepse edhe ata janë abuzuar me nënshkruar mocionin sepse nuk kanë pasur asgjë të bëjnë me interesat e dy partive të mëdha. Por, unë shpresoj se ashtu siç e kanë bërë këtë koalicion ata do të pësojnë disfatë në këto zgjedhje. A do të krijohej një koalicion i tillë nëse nuk do të kishim ne koalicion me AKR-në? Besoj që po, sepse edhe ashtu ne do ta mundnim PDK-në veç e veç. Si LDK do të dilnim përpara PDK-së nëse do të shkonim si parti pa koalicione”, është shprehur kryeministri në detyrë.
Ai ka dhënë edhe një vlerësim për tre kandidatët për kryeministër, megjithëse ka refuzuar të jap ndonjë përshkrim të rivalëve të Abdullah Hotit.
“Nuk kam dëshirë tani ta përshkruaj z. Haradinaj dhe as cilësitë e tij, unë tani për tani jam i destinuar të flas për kandidatin e koalicionit qeverisës së drejtohet nga LDK. Unë besoj se edhe në pikëpamje të aftësive edhe ekspertizës shtetërore, ekonomike dhe ndërkombëtare z. Hoti është më i përgatitur për ta realizuar detyrën e kryeministrit së Kosovës. Tjerët mbetin përgjegjësinë e subjekteve politike që i kanë zgjedhur ata. Ata duhet të garojnë, t’i shfaqin para qytetarëve vlerat e tyre dhe unë mendoj se duhet të zhvillojmë një garë pozitive e cila i vendos në pah vlerat e çdonjërit, derisa për gabimet që do t’i ketë bërë dikush në të kaluarën qytetarët e Kosovës i dinë ato dhe ata do të vendosin kush është më i miri. A gaboi Ramush Haradinaj që lidhi koalicion me PDK-në? Z. Haradinaj gjithmonë ka pasur aspirata për t’u bërë kryeministër, tani i ka ardhur rasti përmes PDK-së. Se a do t’i qëndrojë prapë PDK deri në fund zotimeve që z. Haradinaj të bëhet kryeministër apo do të tradhtojë rrugës diku është çështje që duhet pritur, por unë besoj që nuk do të sfidohet z. Haradinaj me këtë sepse do të dalë z. Hoti i pari dhe do ta shpëtojë atë dhe të tjerët nga sfidat e tilla. Mendoj se z. Kurti edhe partia e tij edhe më tutje duhet të punojnë dhe të përgatiten. Z. Kurti tash e ka rastin të tregojë para qytetarëve të Kosovës se çfarë ofron Vetëvendosja përpos sjelljeve që kanë qenë të rënda të dhunës e gazit lotsjellës në periudhën e kaluar kohore. Për mua do të jetë e mirëpritur që të kemi një pamje tjetër të VV-së, një ofertë tjetër, një ofertë evropiane dhe ofertë e qeverisjes së mirë dhe përmes këtyre ne pastaj të garojmë ndërmjet veti dhe ta marrim besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.