Aktivisti i shoqërisë civile, Fidan Kalaja ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i LVV-së Albin Kurti në një postim në rrjetin social Facebook. Kurti në postimin e tij ka renditur biografinë e Kalajës duke e cilësuar si njërin nga aktivistët më të shquar të shoqërisë civile.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:|
Fidan Kalaja u anëtarësua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Pata kënaqësinë që ta mirëpres dhe të bashkëbisedoj me të.
Fidani për më shumë se 13 vite është aktivist i shoqërisë civile në Kosovë. Ka qenë themelues dhe udhëheqës i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsion në dy vitet e fundit, ndërkaq nga viti 2010 deri në vitin 2015 ka qenë Menaxher Programesh në Lëvizjen FOL.
Në vitin 2016 është përzgjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të marrë pjesë në programin International Visitor Leadership Program (IVLP) i realizuar në SHBA në fushën e anti-korrupsionit. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 ka shërbyer si Anëtar i Komitetit Koordinues të rrjetit më të madh global në fushën e anti-korrupsionit për Evropë – Koalicioni UNCAC (Koalicioni i Konventës së OKB-së Kundër Korrupsionit).
Në vitet 2013-2015 ka qenë iniciator dhe bashkudhëheqës i anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH).
Është themelues i Koalicionit Regjional për Mbrojtjen e Informatorëve. Ka përfunduar studimet bachelor në Psikologji, në Universitetin e Prishtinës. Dija dhe përvoja, përgjegjësia dhe përkushtimi i Fidanit, pa dyshim se do të jenë të dobishme për Lëvizjen.