Nikki Haley, ish-ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara, ka thënë se dy zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë e kanë inkurajuar atë që ta dëmtojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në librin e saj të ri, Haley ka thënë se ish-Shefi i Stafit, John Kelly dhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i kanë thënë asaj që të rezistojë ndaj disa kërkesave të Trumpit.
Ata është raportuar t’i kenë thënë asaj se “po tentojnë të ruajnë shtetin”.
Haley 47-vjeçare ka thënë se ka refuzuar kërkesat e dy zyrtarëve, duke i konsideruar “fyese” dhe “të rrezikshme”.
Tillerson nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje, derisa Kelly ka thënë se ka dëshiruar që presidenti të jetë plotësisht i informuar, shkruan rel.
Ndërkohë presidenti Trump, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ka miratuar librin e saj, duke thënë: “Paç fat, Nikki!”
Në librin e saj të titulluar, “Me gjithë respektin”, ish-ambasadorja ka thënë se nuk është pajtuar me Trumpin rreth menaxhimit të situatës në takimin me presidentin rus, Vlladimir Putin, në takimin e mbajtur në Helsinki më 2017.
Përveç tjerash, Haley ka thënë se ka mbështetur një varg të politikave të Trumpit që të tjerët kanë kundërshtuar, siç është largimi i SHBA-së nga marrëveshja bërthamore, që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore, si dhe tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Në një intervistë për transmetuesin CBS, ajo ka kritikuar hetimet e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkim të Trumpit, duke thënë se ky proces është “sikurse dënim me vdekje për zyrtarët publikë”.
Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.
Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.