Michael Cohen, ish-avokati i presidentit amerikan, Donald Trump ka pranuar fajësinë në një gjykatë në Nju Jork për shkelje të ligjeve të financimit të fushatës.
Ai ka thënë se ai e ka bërë këtë gjë me urdhër të një “kandidati”, me synim të “ndërhyrjes në zgjedhje”.
Fajësia e tij është lidhur me parat e paguara për të “blerë” heshtjen e të dashurave të supozuara të presidentit Trump.
Presidenti amerikan ende nuk ka bërë ndonjë koment për këtë çështje.
Në muajin maj, ai ka pranuar se ka rimbursuar Cohenin për të paguar një grua, pavarësisht se më parë ka kundërshtuar të ketë pasur njohuri rreth këtij rasti.
Cohen, 51 vjeç ka pranuar fajësinë për tetë akuza, duke përfshirë mashtrime bankare dhe taksa, pas një marrëveshjeje për pranim të fajit që ka bërë me prokurorët.
Pranimi i fajësisë nga ana e tij ka ardhur pasi një juri në Virxhnia ka dënuar ish-udhëheqësin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort për mashtrime me taksa.
A mund të ndiqet penalisht Trumpi?
“Nëse këto pagesa përbëjnë krim për Micheal Cohen, atëherë pse nuk janë krim për Donald Trumpin?” ka deklaruar avokati i Cohenit, Lanny Davis.
Pavarësisht kësaj, sipas ekspertëve, Trump nuk ka mundësi të përballet me akuza të tilla, për aq kohë sa është president.
Çfarë është më bindëse sipas tyre është ajo se presidenti mund të shkarkohet nga Kongresi, duke u bazuar në Kushtetutë, vetëm nëse organizohet votëbesim për kryerje të “krimeve të rënda”.
Mirëpo për të ndodhur një gjë e tillë, kundërshtarët e Trumpit, në këtë rast demokratët, duhet të fitojnë shumicën në këtë trup.
Mundësitë e shkarkimit do të rriteshin në mënyrë dramatike, nëse hetimet që janë të vazhdim e sipër të drejtuara nga Këshilltari Special, Robert Mueller do të konkludonin se fushata e Trumpit ka bashkëpunuar me Rusinë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Hetimet e Muellerit janë kundërshtuar vazhdimisht nga Trumpi dhe të njëjtat janë cilësuar si “gjueti shtrigash”.
Çfarë ka ndodhur në gjyq?
Cohen ka thënë se është udhëzuar nga “një kandidat për zyrën federale”, që supozohet të ketë qenë vetë Trump, për të shkelur ligjet e financimit të fushatës.
Padia kundër Cohenit mund ta përballë atë me 65 vjet burgim,mirëpo pas marrëveshjes së tij për pranim të fajësisë, ai mund të dënohet me pesë vjet e tre muaj, ka thënë gjyqtari, William Pauley.
Dënimi i tij është caktuar për datën 12 dhjetor dhe ai është liruar me kusht pasi ka dorëzuar 500,000 dollarë.
Zëvendës-Prokurori amerikan për Distriktin jugor të Nju Jorkut, Robert Khuzami, ka thënë se hetuesit federalëkanë vëzhguar aktivitetet biznesore të Cohenit për muaj të tërëduke përfshirë një biznes të taksive, që drejtohet nga ai dhe familja e tij.
Khuzami ka thënë se në pesë vjetët e fundit Cohen nuk ka raportar të ardhuarat në vlerë të 1.3 milion dollarëve nga biznesi i tij dhe mijëra dollarë tjerë nga aktivitete tjera.
Fajësimi nga ana e Cohenit nuk nënkupton se ai është duke bashkëpunuar kundër presidentit.
Kjo marrëveshje është cilësuar si mundësi për të ruajtur të dyja palët nga një proces i gjatë gjyqësor.
Kush është paguar për heshtje?
Aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels ka thënë se është paguar 130,000 dollarë nga Cohen, vetëm disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2016, për të mos deklaruar asgjë lidhur me një aferë që ka pasur më herët me Trumpin.
Pagesat e mbajtura fshehtë për të heshtur tregime të turpshme për një kandidat politk, mund të trajtohen si shkelje të ligjeve të financimit të fushatës në SHBA.
Si ka ndodhur ky rast?
FBI-ja ka konfiskuar një numër të dokumenteve nga zyra e Cohenit dhe nga një dhomë e përdorur nga po ai në Nju Jork në muajin prill.
Ata është thënë të kenë kryer bastitsjen pas një paralajmërimi të ekipit të Muellerit.
Presidenti Trump në anën tjetër ka distancuar veten nga Cohen prej kur ai është larguar nga pozita e avokatit të tij personal në muajin maj.