Gennaro Gattuso dhe Filippo Inzaghi, bashkëlojtarë për më tepër se një dekadë te skuadra dikur e suksesshme, Milan, do të përballen mes vete të martën në një betejë për mbijetesë në postin e trajnerit.
Dyshja, që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë titullin e Serie A si lojtarë së bashku, janë nën presion pas rezultateve të dobëta të skuadrave të tyre në Serie A. Dhe rëndësia do të jetë e madhe kur Bologna e Inzaghit e pret Milanin e Gattusos, përcjell Koha Ditore shkrimin e Reuters.
Puna e Inzaghit është më në rrezik pas një serie prej tetë ndeshjeve pa fitore që e ka lënë skuadrën në pozitën e 18-të me 11 pikë nga 15 ndeshje.
Por, edhe pse Milani është në vend të katërt në renditje, pozita e Gattusos është në rrezik, pasi ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit në ligë.