Ish-bashkëshortja e Sir Elton Johnit, Renate Blauel, kishte tentuar t’i jepte fund jetës së saj, gjatë muajit të mjaltit të çiftit më 1984, kanë treguar dokumentet ligjore të paraqitura pranë Gjykatës së Lartë në Londër. Në këto dokumente, Blauel ka bërë të ditur të ketë marrë dozë të tepruar të valiumit, pasi ylli i muzikës i kishte thënë se “martesa nuk po funksiononte dhe se donte që ajo të largohej”, pas vetëm tre ditësh qëndrimi në Saint Tropez.
Të dhënat janë pjesë e kërkesës për dëmshpërblimin prej 3 milionë funtesh adresuar ndaj këngëtarit John, shkaku i akuzave se ai ka thyer rregullat e marrëveshjes së shkurorëzimit. Tonistja Blauel, e lindur në Gjermani, ishte e martuar me Johnin për katër vjet dhe ka qëndruar larg publikut që nga fundi i martesës së tyre më 1988. Por ajo ka paraqitur gjatë këtij viti kërkesën për kompensim, pasi të jetë përjashtuar krejtësisht në autobiografinë e vitit 2019, si dhe në filmin e famshëm “Rocketman”.
Në kundërpërgjigje, mbrojtja e Johnit ka bërë të ditur se marrëveshja e shkurorëzimit kishte ekzistuar dhe se është nënshkruar nga të dyja palët, por ka mohuar ndonjë shkelje të sajën. Avokati i Blauelit, Adam Wolanski, ka thënë se ylli i muzikës ka qenë në dijeni se Blauel ka probleme me “depresionin dhe ankthin” dhe se gjendja e saj ishte “përkeqësuar nga vëmendja e madhe që ka pasur nga shtypi dhe nga publiciteti që lidhej me të”.
Në dokumentet e mëhershme gjyqësore, Blauel ka bërë të ditur se autobiografia e Sir Eltonit dhe filmi biografik kishin ngjallur interesim të sërishëm të publikut lidhur me martesën e tyre, madje aq sa që një gazetar “ka provuar t’ia gjejë adresën në fshatin e saj”, duke i shkaktuar kësisoj “depresion të madh”. Ajo ka njoftuar se pas kësaj ka shpenzuar me qindra funte për terapi dhe trajtim.
Si kundërpërgjigje ndaj dokumenteve të reja të gjykatës, këshilltarja ligjore e Sir Eltonit, Jenny Afia, ka thënë se këngëtari e ka respektuar gjithmonë privatësinë e Renates dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë.
“Është e dokumentuar mjaft mirë se martesa e tyre ka gëzuar respekt të plotë dhe raporti i që të dyve ka vazhduar të jetë i mirë edhe pas shkurorëzimit”. Ajo për më tepër ka shtuar se “i është dukur e pakuptueshme se rasti i Blauelit është përqendruar në privatësi dhe se pala ka vendosur të ngrejë akuza në mënyrë publike”. “Kjo gjë e shpërfaq qëllimin e vërtetë të këtyre akuzave, i cili është nxjerrja e shumave të madhe parash nga Eltoni dhe njollosja e emrit të tij me gënjeshtra”.