Në procesin gjyqësor të njohur si rasti “Medicus” sot pritet të dëshmojë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja.
Shaip Muja kishte dëshmuar në këtë proces edhe në shkurt të vitit 2012. Në këtë rast gjyqësor, javën e kaluar dëshmoi ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.
Gashi gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se klinika “Medicus” kishte pasur licencë vetëm për ndërhyrje kardiokirurgjike ndërsa për ndërhyrje urologjike tha se klinikës i ishte refuzuar kërkesa për t’u pajisur me licencë pasi që sipas tij në Kosovë me ligj ka qenë e ndaluar transplantimi i organeve.
Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.
Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.