Dëshmitari në rastin e Salih Mustafës thotë se trupi që zhvarrosën i kishte duart e këmbët e thyera si dhe plumba në shpinë

Prishtinë | 22 Nën 2021 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

(Përditësuar, ora 13:15) – Në seancën e së hënës, dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës po dëshmon për procesin e zhvarrimit të një trupi, për të cilin tha se e kanë zhvarrosur bashkë me persona të tjerë dhe kanë vërejtur se i kishte këmbët e duart e thyera, si dhe se kishte plumba prapa shpinës.

Ai tha se vëreheshin se ato pjesë të trupit ishin të thyera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur e kena kap, u dokshin kamtë e durtë që i ka të thyme”, ka thënë ai.

Dëshmitari me kodin W04391 ka thënë se prapa shpinës së trupit që kanë zhvarrosur kanë parë vrimat e bëra nga plumbat.

“Edhe plumbat prapa shpinës, i kena pa birat që i ka pas plumbat”, ka thënë dëshmitari, e shtoi se trupin e kanë zhvarrosur dhe e kanë futur në arkivol.

Prokurorja Valeria Bolicci e ka pyetur nëse herën e dytë kur kanë shkuar kanë parë ndonjë hollësi apo diçka tjetër lidhur me trupin e dytë që ishte në të njëjtin varr, kurse dëshmitari e ka mohuar këtë.

Ai bëri të ditur se të dy trupat ishin të mbështjellë me nga një batanije.

“Një batanije aj, një aj”, tha ai, kurse deklaroi se nuk i kujtohet nëse trupi tjetër ishte i një femre apo një mashkulli.

Prokurorja Bolicci ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit, kurse shumica e pyetjeve që ajo ka parashtruar janë përcjellë me seanca të mbyllura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillon deklarimin e tij dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës

(Përditësuar, ora 11:56) – Në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, të hënën e ka filluar deklarimin e tij dëshmitari i tetë i mbrojtur, me kodin W04391.

Deklarimi i dëshmitarit të tetë deri në pauzën e parë është përcjellë me seancë të mbyllur, ku prokuroria i ka parashtruar pyetje. Parashtrimin e pyetjeve prokuroria pritet ta vazhdojë edhe pas pauzës.

Paraprakisht, para dëgjimit të këtij dëshmitari, avokati Julius Von Bone tha se mbrojtja e kundërshton një kërkesë të prokurorisë.

“Në veçanti çështja ka të bëjë me këtë: si kundër rregulli 153 thotë trupi gjykues mund të pranoj një deklaratë me shkrim të dëshmitarit që provon një çështje të ndryshme nga veprimi dhe sjellja e të akuzuarit, ne e gjejmë këtë kërkesë shumë të vakët, lidhur me çfarë çështje konkrete kjo kërkesë do të trajtonte”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues i tha se duhet të bëjnë parashtrim me shkrim dhe jo verbalisht dhe se duhet ta dorëzojnë parashtrimin për këtë çështje.

Kurse, prokurorja Silvia D’ascoli tha se dëshiron të shtoj se do të ketë shtojcë për këtë parashtrim, ku do të thonë arsyet për kërkesën që u urdhërua edhe nga trupi gjykues, por se thelbi i kërkesës është parashtruar në parashtrimin kryesor. Më pas, ajo kërkoi të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje.

Ndërkaq, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues ka thënë se përgjigjen për kërkesën e rregullës 153 mund ta dorëzojnë më 1 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021, gjatë së cilës seancë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme