Ish-drejtori i burgjeve dënohet me 5 vjet burg për korrupsion

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 16:19 | Nga

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 5 vjet heqje lirie Artur Zoton, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.

Zoto u shpall fajtor për akuzën e “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë” në fund të një procesi gjyqësor që zgjati një vit.

Zoto u arrestua në shkurt të vitit 2017, pas dëshmisë së dhënë nga zëvendësi i tij, Iljaz Labi që pranonte veprimet korruptive me tenderët e ushqimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe implikonte ish-shefin e tij.

Iljaz Labi ishte arrestuar më 11 korrik 2016 së bashku me administratorët e katër kompanive, që sipas prokurorisë bënin marrëveshje për të kryer konkurrime fiktive në tenderët e furnizimit me ushqime të institucioneve të vuajtjes së dënimeve.

I pyetur nga BIRN, avokati i Zotos, Ardian Leka refuzoi të komentonte mbi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjatë procesit dhe në konkluzionet e mbrojtjes, Leka e ka cilësuar akuzën e ngritur kundër Zotos si “të sajuar, të montuar dhe pa asnjë provë”.

Sipas dëshmisë së Labit- i kthyer në një dëshmitar të drejtësisë dhe përgjimeve të paraqitura si provë nga Prokuroria, Zoto kishte përfituar në një episod 2 milionë lekë nga biznesmenët që merrnin pjesë në tenderët e furnizimit me ushqim të burgjeve.

Prokuroria arriti të zbulojë se administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa” takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre.

Artur Zoto u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në vitin 2013 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në korrik 2016. Para se të arrestohej, Zoto dha dorëheqjen me motivacionin e “pamundësisë së kryerjes së detyrës për shkak të arsyeve personale dhe familjare”.

Të ngjashme