Një lajm nga Gana lidhur me sulmuesin e Manchester Unitedit, Marcus Rashfordin, ka marrë më shumë vëmendje sesa kthimi i Premierligën javën e ardhshme. Ish-futbollisti Michael Boye Marquaye thotë se ai është babai biologjik i Rashfordit.
Në një intervistë të dhënë për radion Starr FM në Ganë, Michael Boye Marquaye i befasoi të gjithë duke thënë se ai është babai biologjik i Marcus Rashfordit, i cili megjithatë është rritur si djali i Melanie Rashford dhe xhamajkanit Joseph Rashford.
“Rashfordi është djali im dhe ai e di këtë, edhe pse ne nuk e kemi parë njëri-tjetrin shpeshherë që disa vite”, ka thënë Marquaye.
“Fillimisht ai ishte zemëruar pasi që kishte menduar se unë e kisha braktisur, por historia nuk është ashtu”.
Marquaye gjithashtu dëshiroi ta bënte të qartë se ai nuk po e bën publike këtë për përfitime personale.
“Shumë njerëz po tentojnë të më kontaktojnë dhe të ma nxjerrin një lajm, por unë nuk jam lloji i njeriut që kërkon të bëjë para shpejt ose të bëhet më i famshëm”, shtoi Marquaye.
“Unë vetëm doja ta qartësoja këtë gjë dhe t’ia bëj të ditur të gjithë botës se Marcus Rashfordi i ka rrënjët në Ganë”./GE