I akuzuari Boban Toniq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit gjatë periudhës së luftës.
Fillimisht, u lexua aktakuza nga prokurori special, Atdhe Dema,
Më pas, gjykatësi i rastit Rrahaman Beqiri njoftoi të akuzuarin me të drejtat që ka, e më pas Toniq u deklarua i pafajshëm.
Gjykatësi Beqiri njoftoi të akuzuarin dhe mbrjtësin e tij, avokatin Predrag Milokoviq se në afat prej 20 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 31 dhjetor 2025, Boban Toniq i njohur me njofkën “Bellko”, akuzohet se në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë Jovan Jovanoviq, Avdia Sutkoviq dhe Zoran Gjokiq- ish-gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Aktakuza thotë se të burgosurit ishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte deri në alivanosje.
Viktimat kanë deklaruar se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha trupore, dhunë psikike, kanë mbetur pa ngrënë me ditë të tëra, duke iu shkaktuar ankth dhe frikë e duke iu cenuar rëndë dinjiteti.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se më 24 maj 1999 e deri më 10 qershor 1999, Toniq akuzohet se në bashkëkryeje me zyrtarë të tjerë të burgut, me dashje dhe duke shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare, në bashkëkryerje me ish-gardianët Jovanoviq, Sutkoviq dhe Gjokiq, pasi i kanë transferuar të burgosurit nga burgu Dubravës në të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, kishin formuar fillimisht kordon dhe më pas kishin filluar t’i godisnin të burgosurit me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, e pas kësaj në mënyrë sistematike i kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke iu shkaktuar lëndime trupore, duke i lënë pa ngrënë me ditë të tëra, duke i ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur se do t’i vrasin të gjithë, duke ua cenuar rëndë dinjitetin njerëzor dhe se pasojat i bartin ende viktimat.
Për këto veprime, Toniq ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë