Ish-gjykatësi amerikan: Vështirë të thuhet se po gjykohen vetëm individët dhe jo UÇK-ja

Prishtinë | 12 Pri 2023 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Ish-gjykatësi amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, në një intervistë për Tëvë1 ka komentuar zhvillimet e fundit mbi Gjykatën Speciale. Ai mes tjerash thotë se në këtë proces është e vështirë t’i thuash popullit shqiptar se po gjykohen vetëm individët dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Me 3 prill filloi gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por në aktakuzë nuk përfshihen pretendimet e raportit 27- faqesh të ish-senatorit zviceran Dick Marty, se në Kosovë ka pasur trafikim organesh.

Ndërsa ish-gjykatësi amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, thotë se nëse nuk do të ishin këto pretendime për trafikim organesh, me shumë gjasë Gjykata Speciale nuk do të formohej.

“Është diskutuar shumë gjatë për çështjen e trafikimit të organeve, duke filluar nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, e deri tek ish-prokurori shtetëror zviceran, Dick Marty dhe Clint Williamson. Por tani siç edhe mund ta shihni, në aktakuzë nuk përfshihet trafikimi i organeve. Tash kjo çështje i takon vetëm historisë e jo procesit gjyqësor. Po të ishte ditur që në fillim se nuk ka pasur trafikim të organeve kjo gjykatë me shumë gjasë nuk do të ekzistonte”, ka thënë Dean Pineles.

Gjykatësi i krimeve të luftës, vlerëson se është shumë e vështirë të thuhet se në këtë proces po gjykohen vetëm individët dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës .

“Nga Dhomat e Specializuara e kanë përsëritur vazhdimisht se po gjykohen vetëm individët e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por unë e kam vështirë ta bëjë dallimin. Vënia në gjyq e 4 komandantëve të UÇK-së e më pas të thuash se nuk po gjykohet organizimi gueril i tyre është e vështirë për t’ia shitur opinionit shqiptar. Unë mendoj se shqiptarët po e shohin se këtu po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thotw ai.

Ai tutje është shprehur i befasuar që prokurorisë do t’i duhen mbi 6 vjet për të paraqitur provat kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas tij kjo është një periudhe jashtëzakonisht e gjatë dhe se gjeneratat e reja mund ta shohin me ndryshe historinë e Kosovës.

“Gjykimi pritet të jetë i gjatë rreth 6 vjet, që për mua është jashtëzakonshme. Gjatë kësaj periudhe kohore do të vijnë gjenerata të reja që mund ta shohin historinë më ndryshe. Prandaj e kuptoj shumë mirë dëshpërimin që ka populli i Kosovës. Ata kanë të drejtë të mendojnë se kjo gjykatë është e anshme duke pasur parasysh që në Serbi nuk po ndiqen kriminelet e luftës gjatë kësaj periudhe. Duhet ta pranojmë të vërtetën se ishin kriminelet serbë autorët kryesor të kësaj lufte”, shprehet Pineles

Që te katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Të ngjashme