Ish-gjyqtari Kolë Puka do të përballet me 66 prova të prokurorisë

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 08:25 | Nga

Ish-gjyqtari i Pejës, Kolë Puka do të përballet me 66 prova të deponuara nga prokuroria në gjykatë, shumica e të cilave kanë të bëjnë me dyshimin për përfitim të paligjshëm të pasurisë.

Një prezantim i shkurtër i tyre është bërë të mërkurën gjatë rigjykimit të Pukës në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Pos prokurorisë, prova ka deponuar edhe mbrojtja e Pukës, e cila po pretendon t`i hedhë poshtë ato të prokurorisë. Elaborimi i provave pritet të bëhet në seancën e radhës më 19 maj prej të dyja palëve.

Ish-gjyqtari akuzohet për nxjerrje të paligjshme të vendimeve gjyqësore, keqpërdorim të detyrës zyrtare, pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi.

Ai, për këto vepra penale u patë gjykuar para pesë vjetësh. Në vitin 2012 u dënua me 10 vjet burgim. Ai atëkohë dyshohej se ka përfituar 1 milion e 250 mijë euro nëpërmjet metodave kriminale. Të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe dy avokatët: Zef Marleku dhe Lon Palushaj, mirëpo ata u patën shpallur të pafajshëm. Gjykata pati cilësuar se avokatët kanë rënë viktima të Kolë Pukës. (Koha Ditore)

Të ngjashme