Synimi i Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për aktet e tmerrshme që kreu gjatë luftës së fundit është tema më e përfolur së fundmi.
Por ky akt që është krim mbi të gjitha krimet, është vështirë i dëshmueshëm në rastin e Kosovës, edhe për faktin se Tribunali i Hagës nuk e hetoi Sllobodan Millosheviqin për këtë vepër, sipas ish- hetueses në rastin e Kasapit të Ballkanit, Nevenka Tromp.
“Gjenocidi, i kualifikuar si vepër penale, në Tribunalin e Hagës nuk është përfshirë në as edhe një krim që është bërë në Kosovë gjatë viteve 98-99. Kjo nuk do të thotë që nuk ka fakte të mjaftueshme apo indikacione se vërtetë është bërë gjenocid. Ajo çka ndodhi njëmend është se krimet që u bënë në Kosovë u përfshinë për herë të parë në aktakuzën e PËRGJITHSHME kundër Millosheviqit në maj të 99’ës. Pra në mes të luftës, dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj forcave serbe”, ka thënë ndër të tjera Tromp, njofton Klan Kosova.
Në një intervistë për Klan Kosovën ajo thotë se veç ngjarjeve që ngjanë brenda kufijve, për ta fituar rastin Kosovës mund t’i ndihmojë edhe rasti i Bosnje e Hercegovinës.
“Përderisa gjenocidi i kryer një Bosnje e Hercegovinë është njohur, të paktën për Srebrenicën, tregon se Millosheviqi që vazhdoi t’i kryente veprat e njëjta në Kosovë s’mund të ishte një person tjetër, përkundrazi ai vetëm sa e avancoi mënyrën e të bërit krime. Njësoj edhe në Kroaci, nëse veç do të provohej sikur që u dëshmua për Mlladiqin dhe Karagjiqin. Mjafton të ndiqet rrjedha e ngjarjeve nga krimet në Srebrenicë në ato në Kosovë t’i ndihmojë juristët ta dëshmojnë vullnetin e tij gjenocidal në Kosovë”.
Autorja e librit për gjykimin e pambaruar ndaj Milosheviqit, ka dyshime se synimi i qeverisë së Kosovës, për padi nuk është i njëmendtë. Përndryshe, e sheh si të mundur këtë gjë, edhe pse vendi nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ka mundësi që një shtet i tretë i ndihmon Kosovës ta paraqesë padinë pranë GJND-së por është në dorë të qeverisë tuaj të tregojë se sa seriozisht e ka marrë këtë çështje dhe të drejtohet për ndihmë”.
Tromp që thotë se rasti i Kosovës është ndër ngjarjet më të rëndësishme me të cilën u morr gjatë gjithë karrierës, është e gatshme të ndihmojë edhe vetë në rast se i kërkohet nga organet kosovare.