Në moshën 25-vjeçare Paige Williams, ka ndërruar veshjet sportive me ato të zjarrfikësve. Ajo ka nisur karrierë në Shërbimin e Zjarrfikësve në Merseyside, shkruan BBC.
Pasi fitoi titullin e Series A dhe Kupën e Italisë me Brescian në stinorin 2015-16, si dhe dy herë ishte finaliste e FA Cupit për femrat, vendimi i Williamsit për të lënë futbollin e nivelit më të lartë mund të ketë befasuar disa nga tifozët. Vendimi erdhi vetëm një vit pasi me Birmingham Cityn përfundoi në vend të katërt në elitën e Anglisë në futboll të femrave.
Një mbrojtëse anësore me një këmbë të majtë shkatërruese, Williams po krosonte për Ellen Whiten stinorin e kaluar, por dyshja ishin në mesin e dhjetë lojtareve që u larguan nga Birminghami në verën e vitit 2019.
Në muajt që pasuan ajo përjetoi një lloj krize identiteti, punë në supermarkete dhe ishte pranë kalimit te Real Madridi po ashtu, por vendosi më pas për një sfidë krejt të re.
“Më dukej sikur të gjitha shenjat po më shtynin larg nga futbolli. Vera e kaluar ishte një kohë e çmendur”, ka treguar Williams për “BBC Sport”. “Ishte vështirësia e parë e madhe për mua, me përjashtim të operimit të ligamenteve të gjurit, dhe më frikësoi pak. Pa futboll, nuk kisha ndonjë gjë. Kurrë nuk kam pasur para të mëdha, kështu që nuk kisha vërtetë kursime. Nuk kisha shtëpi, nuk kisha shumë kualifikim. E pyeta veten se në ‘çfarë tjetër mund të jem e mirë?’ dhe nëna ime më sugjeroi shërbimin e zjarrfikësve. Shërbimi i zjarrfikësve është një nivel krejt tjetër. Në futboll nganjëherë duhet të jesh vetjake, por te skuadrave e zjarrfikësve, unë po bëja çdo gjë për të gjithë tjerët dhe më pëlqente kjo. Më duket e drejtë”.
Pasi ka qenë pjesë e U-19 të Anglisë që arriti në finale të Evropianit dhe arriti në finale të FA Cupit të femrave në vitin 2017, Williams padyshim ishte një nga më të fortat në Superligën e Anglisë në futboll të femrave që mbeti pa kontratë stinorin e kaluar. Por, një numër i opsioneve dështuan.
“U ndjeva sikur po jepja shumë për futbollin dhe se nuk po merrja asgjë prapa. Unë u provova te shumë skuadra. Shkova te Liverpooli shumë në fazën para-sezonale, dhe kalova kohë te Brightoni dhe më pas shkova në Spanjë. Vërtetë mendova se do të luaja për Real Madridin. Të gjithë atje më bënë të mendoja se do t’i bashkohem Realit. Një mëngjes, unë takova rrugës Marcelon, e përshëndeta rrugës për në stërvitje, po ndanim kompleksin e njëjtë. Por, doli se një nga lojtaret e tyre nuk po mund të huazohej diku, kështu që nuk u lirua vendi për mua. Gjëra të tilla të çmendura, ishte sikur çdo gjë po më shtynte larg nga futbolli, pasi kishte faktorë që nuk po mund të kontrolloja”, ka treguar futbollistja. “Kur ai transferim nuk u realizua, atëherë nisa të mendoja seriozisht. Fillova punë në një magazinë të supermarketeve. Në fund ajo periudhë në magazinë më tregoi edhe më tepër se puna e zjarrfikëses është e duhura për mua”.
Duke u bërë zjarrfikëse ajo ka shkuar hapave të një mbrojtëse tjetër të majtë, Rachel Unitt, që kishte luajtur 102 ndeshje për Anglinë nga viti 2000 deri më 2013.
“Ka disa ish-futbolliste profesioniste në shërbim të zjarrfikësve, kështu që do të mund të bënim një skuadër mjaft të mirë futbolli. Nuk po them se nuk do të mbathi më kurrë këpucët e futbollit, por nuk po e kisha kënaqësinë e njëjtë në futboll si në vitet e mëhershme. Unë definitivisht mendoj se do të luaj sërish. Por, se në çfarë niveli nuk e di”, ka thënë Williams.
Williams përfaqësoi Anglinë deri te U-23, por kujtimet më të mira i ka te periudha e suksesshme në Itali te Brescia. Atëbotë punoi nën drejtimin e Milena Bertolinit, seleksionueses së tashme të Italisë në futboll të femrave.
“Paraqitja me Anglinë ka qenë një gjë e pabesueshme. Serie A do të mbetet përgjithmonë në kujtimet e mua. Ajo kohë ishte e veçantë dhe asgjë të tillë nuk kam përjetuar që nga atëherë”, thotë 25-vjeçarja.