Futbolli kthehet në Korenë e Jugut, pa festime dhe komunikim në fushë

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Sezoni i futbollit në Korenë e Jugut fillon të premten pas një vonese prej dy muajve shkaku i koronavirusit, duke hapur rrugë edhe për ligat e tjera në mbarë botën, të cilat po përpiqen të rikthehen pas shpërthimit të pandemisë, shkruan agjencia AFP.

Festimet e golave, shtrëngimet e duarve dhe madje të folurit janë të ndaluara nën udhëzimet e rrepta të reja të sigurisë që janë krijuar për të parandaluar prekjen e çdo lojtari nga koronavirusi gjatë ndeshjeve, të cilat do të luhen prapa dyerve të mbyllura. Përderisa shtetet si Bjellorusia, Turkmenistani dhe Tajvani kundërshtuan koronavirusin për të vazhduar me sezonin e futbollit që nuk e pezulluan si vendet e tjera, Koreja e Jugut bëhet vendi i parë në botë që lejon zhvillimin e këtij sporti në këtë kohë pandemie.

Koreja e Jugut përjetoi një nga shpërthimet më të këqija të pandemisë COVID-19 jashtë Kinës, duke bërë që sportet profesionale të pezullohen ose të shtyhej fillimi i sezonit të tyre, një model që përsëritej në gjithë botën si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit. Por, vendi duket se tashmë ka përmirësuar situatën me koronavirus, falë një programi të gjerë “gjurmë, provë dhe trajtim” dhe futbolli po kthehet pas bejsbollit që nisi sezonin pa tifozë të martën. Kampionati i futbollit të Koresë së Jugut që njihet si K-League është gara e parë e madhe e Azisë që po kthehet në veprim derisa ligat e tjera të mëdha të Evropës ende nuk kanë një datë të caktuar, me përjashtim të Bundesligës që po mendon me rifillimin e garave gjatë këtij muaji. Në fakt, Franca tashmë ka anuluar sezonin 2019/20 dhe titulli i kampionit i është dhënë Paris Saint-Germainit.

Ndeshja, që do ta hapë sezonin në Korenë e Jugut, që luhet të premten do të jetë ndërmjet kampionit në fuqi, Jeonbuk Motors – që drejtohen nga ish-ndihmësi i Jose Mourinhos, Jose Morais – dhe fituesit të kupës, Suwon Bluewings.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme