Ish-kapiteni i KB “Prishtina” Edmond Azemi, ka marrë pozitë të re në këtë klub, ai do të jetë drejtor gjeneral, raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie të mbajtur nga drejtuesit e klubit.
Burim Maraj, president KB “Prishtina”, tha se ky klub mbetet sinonim i suksesit. Sukses ky që sipas tij, është arritur edhe falë punës së Azemit, të cilin tha se e ka pasur bashkëlojtar.
“Sigal Prishtina është klubi më i tofeshëm i të gjitha kohërave. Faleminderit Plisa që jeni të pazëvendësueshëm. Kur jemi te suksesi nuk bënë ta harrojmë Edmond Azemin dhe kam pasur fatin të luajë me të dhe ta njoh si kapiten i ekipit. Edmond Azemi do t’ia lë karrierën të rinjve dhe do të vazhdojë si drejtor gjeneral i klubit”.
Kurse Azemi, që nga tash mban pozitën e drejtori gjeneral, tha se kjo është ditë e veçantë për të.
Ai i emocionuar ka folur për rrugëtimin e tij si basketbollist, duke shtuar se do të krijojë hapësirë për talentet e rinj.
“Krejt çka kam dhënë për këtë klub po dua me vazhduar si drejtues i klubit. Për mu si lojtar nuk ka qenë lehtë me lënë. Besoj që ka ardhur kjo ditë kur kam vendosur mi ndihmuar klubit dhe me punuar në akademinë e basketbollit. Kurrë nuk ka me lënë Prishtinën”.
“Unë kam pasur oferta por se kam lënë Prishtinën për shkak të plisave. Suksesi ynë lidhet me tifozë. Ka me ardhur dita që kemi me krijuar diçka më të madhe. Do të punojë me drejtësi, t’i krijojmë një akademi ku të gjithë të rinjtë ka me qenë pjesa jonë”.
Ferid Zekolli, nënkryetar i klubit, duke i uruar fat Azemit, tha se ai ka qenë lojtar shumë i mirë, raporton EO.
Shkumbin Jakupi, nënkryetar i klubit theksoi se është privilegj që të punohet me ikonën e Prishtinës siç është Edmond Azemi.
“E ndaj një respekt për Edon dhe shpresoj të kemi suksese”.