Një letër që ish-presidenti amerikan, Donald Trump e lëshoi dje për vizitën e Grenellit në kufirin Kosovë-Serbi ka shkaktuar mjaft reagime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kjo pasi që Trump në këtë letër, Grenellit i referohet ende si “ambasador i dërguar” i tij, ndonëse ai nuk është më president i SHBA-ve.
Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe ushtaraku i njohur amerikan, njëherit ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, Mark Hertling.
Ai e ka quajtur “ilegale” formën se si Trump e ka cilësuar vizitën e Grenellit.
“Kjo është shumë e keqe, dhe ndoshta e paligjshme. Ajo që e bën atë në mënyrë eksponenciale më keq është “i dërguari” është Ric Grenell”, ka shkruar ai në Twitter.
Më poshtë keni postimin e tij.
Kujtojmë se mbrëmë po ashtu nga Shtëpia e Bardhë kanë reaguar duke thënë se Donald Trump nuk është më president i SHBA-ve dhe se nuk ka ndonjë ambasador që përfaqëson shtetin.
Reagimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pasi ish-presidenti amerikan nëpërmjet një letre tha se ka dërguar ambasadorin e tij për çështjen Kosovë-Serbi, duke iu referuar ardhjes së Richard Grenell në Kosovë.
“Përtej imagjinatës së tij tejet aktive, Donald Trump nuk është më president dhe nuk ka asnjë “ambasadorë të dërguar” që përfaqëson Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë përpara gazetarëve.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gazetarja e ‘Bloomberg’ nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në ‘Twitter’.