Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë trajtuar në mënyrë jo dinjitoze dhe johumane nga Gjykata Speciale në Hagë, po vlerëson eksperti i sigurisë, Nuredin Ibish.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se refuzimi që ata të mbrohen në liri, edhe pse për këtë ka ofruar garanci Policia e Kosovës është vendim i padrejtë.
“Është bërë një trajtim jo dinjitoz pjesëtarëve kyç të UÇK-së në procesin e Hagës për shkak se qe një vit e më shumë ende nuk është ngrit aktakuza në kuptim të asaj edhe në fazën e shqyrtimit të dëshmive dhe dëshmitarëve. Kështu që është e padenjë johumane që të bëhet në këtë mënyrë”.
“Çështja tjetër është edhe mundësia e mbrojtjes në liri, e cila është kërkuar nga avokatë dhe është akceptuar nga Policia e Kosovës dhe institucionet dhe sektorë të sigurisë që kanë ofruar garancion që ata do t’iu përmbahen arresti shtëpiak apo një masë tjetër që parashihet nga Prokuroria apo Gjykata në procesin e mbrojtjes në liri”.
“Policia e Kosovës vetëm është deklaruar që ka kapacitet dhe këtë mund të garantojë. Ata normal që i referohen shtetit të vet. Mendoj që mjafton që shteti i Kosovës përkatësisht Policia e Kosovës të garantojë çështjen e sigurisë që kërkohen nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale”.
Ndërsa profesori i Kriminalistikës, Fatmir Çollaku theksoi se pjesëtarët e UÇK-së në Hagë janë duke u mbajtur padrejtësisht duke mos u lejuar edhe arrestin shtëpiak.
Sipas Çollakut, Policia ka kapacitete të mjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e Gjykatës nëse kërkohet që të jetë efikase në kuptimin e zbatimit të masave.
“Që nga shkuarja e tyre atje dhe qëllimi i kësaj gjykatë është politike më shumë dhe ata natyrshëm që janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë sepse zvarritja e këtij procesi po reflekton si qëllim politik apo si një tendencë e zvarritjes së qëllimshme dhe garancionet që ka ofruar Policia e Kosovës dhe drejtori për të kaluar në arrest shtëpiak dhe liruar nga paraburgimi në fillim kërkoheshin si garancion tash u dhanë garancionet dhe ende nuk ka asnjë vendim sa i përket lirimit të tyre nga paraburgimi dhe kalimi në arrest shtëpiak që është vendim i padrejtë”.
“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e Gjykatës nëse kërkohet që të jetë efikase në kuptimin e zbatimit të masave. Unë mendoj që në kuptimin ligjor shuam drejt do të ishte të vinë në shtëpitë e tyre derisa të përfundojë procedura dhe të zhvillohen faza tjera të hetimeve për të parë epilogun e këtyre procedurave”, tha Çollaku.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar lirimin e Hashim Tgacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.