Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës duhet të përqendrohet te zbatimi i marrëveshjes së Washngtonit, raporton Ekonomia Online.
Hoti tha se nisja e projekteve infrastrukturore është në interesin e Kosovës dhe qeveria e re duhet të nis menjëherë përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për t’u futur më tej në negociata me partnerët stratetegjik për zbatim e financim të plotë të projekteve.
Ai thotë se me krizën energjetike që po mbretëron, projekti i gazit ka marrë përmasa të sigurisë kombëtare.
“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve”, tha Hoti.
“Katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social Facebook. EO