Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka qenë kryenegociatore e këtij procesi në Bruksel për Kosovën në dialogun me Serbinë, është kundër idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë.
Ajo përmes një postimi që ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” e kundërshton këtë ide, po shpërndan në “Facebook” edhe deklarata të atyre personaliteteve që janë kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë.
“Tash Kuvendi i Kosovës e ka përgjegjësinë historike t’i thotë jo ndryshimit të kufijve të Kosovës, për të cilën bëmë luftë dhe u flijuam 100 vjet. Ta mbrojmë fitoren e luftës çlirimtare ndaj Serbisë në 1999, dhe t’i mposhtim ambiciet hegjemoniste të Serbisë dhe agjendave gjeopolitike ruse”, ka shkruar Tahiri.
Ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve, e cila është proklamuar nga presidenti Hashim Thaçi, është kundërshtuar fuqishëm nga spektri politik në vend, edhe nga partitë brenda koalicionit qeverisës.
Kryeministri Ramush Haradinaj edhe një herë e ka kundërshtuar këtë ide, duke thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë tavoline ku diskohet çështja e kufirit dhe territori i Kosovës.
Edhe lideri i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë, duke thënë se shteti, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të shenjtë.
Ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë, legjitimitet dhe forcë që të bëjë pazare me Serbinë në dëm të Kosovës.